MOTO GP/ U largua nga Dukati, Peko Banjaja firmos kontratë 4-vjeçare me Aprilian

Lajmi pritej prej kohësh, sidomos pas largimit të tij nga Dukati, por tani gjithçka është zyrtare, Françesko Banjaja do të veshë ngjyrat e Aprilias nga viti 2027. Me një kontratë 4-vjeçare, Peko do të jetë shok skuadre me Marko Bexekin.
NJOFTIMI I APRILIAS
“Françesko Banjaja ka nënshkruar një kontratë katërvjeçare me Aprilia Racing, duke filluar nga sezoni 2027. Piloti italian do të garojë me RS-GP përkrah Marko Bexekit, duke kompletuar kështu formacionin tërësisht italian të ekipit në MotoGP.
Transferimi i Banjajas përfaqëson një përforcim me vlerë të jashtëzakonshme për Aprilia Racing. Me ardhjen e një kampioni bote me tre tituj, skuadra konsolidon më tej pozicionin e saj në elitën e MotoGP. Kjo marrëveshje konfirmon gjithashtu forcën e projektit të Aprilia-s në prag të revolucionit teknik të vitit 2027, kur do të hyjnë në përdorim motorët e rinj 850 cc.
Shifrat e Françesko Banjajas janë mbresëlënëse. Që nga debutimi i tij në Moto3 në vitin 2013, ai ka treguar talent të jashtëzakonshëm dhe vendosmëri të madhe, cilësi që e kanë ndihmuar të fitojë tre tituj botërorë: një në Moto2 në vitin 2018 dhe dy radhazi në MotoGP në vitet 2022 dhe 2023.
Në karrierën e tij numëron 41 fitore, 86 podiume dhe 35 pole position. Këto arritje e rendisin Banjajan mes pilotëve italianë më të suksesshëm në klasin mbretëror, pas vetëm Xhakomo Agostinit dhe Valentino Rosit”, shkruhet në njoftimin e skuadrës Aprilia.
FLET PILOTI
Nga Asen, ku këtë të diel zhvillohet Çmimi i Madh i Holandës, Peko Banjaja shprehu entuziazmin për kapitullin e ri në karrierën e tij:
“E kam kërkuar shumë këtë sfidë të re dhe këtë kontratë afatgjatë. Katër vite janë shumë në aspektin sportiv, por unë besoj plotësisht në këtë projekt dhe mbështetja që kam marrë ka qenë fantastike. Jam shumë i emocionuar, por fillimisht duhet të përfundojmë këtë sezon”, deklaroi ai për “Sky Sport”.
Sa i përket periudhës së tij te Dukati, Banjaja u shpreh: “Jam shumë i kënaqur me gjithçka që kemi arritur dhe me atë që më pret në të ardhmen. Kam dhënë maksimumin dhe ende kemi punë për të bërë, sepse kanë mbetur edhe 13 gara deri në fund të sezonit”.


