INSTAT: Grumbullimi i qumështit u rrit me 6,9% në 2025-ën

INSTAT: Grumbullimi i qumështit u rrit me 6,9% në 2025-ën

Sasia e qumështit të grumbulluar nga subjektet e grumbullimit dhe përpunimit në Shqipëri arriti në rreth 101 mijë tonë gjatë vitit 2025, duke shënuar një rritje prej 6,9% krahasuar me një vit më parë.

Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, rritja u ndikua kryesisht nga shtimi i grumbullimit të qumështit të lopës, i cili arriti në 84 mijë tonë, ose 12,5% më shumë se në vitin 2024. Ndërkohë, grumbullimi i qumështit të deles ra me 21,1%, në 9 mijë tonë, ndërsa ai i dhisë u ul me 4,3%, në rreth 8 mijë tonë.

Nga sasia totale e grumbulluar, rreth 15 mijë tonë u përdorën për prodhimin e qumështit për konsum njerëzor, ku 88,2% ishte qumësht i plotë i përpunuar, 7,4% qumësht gjysmë i skremuar, 4% qumësht i papërpunuar dhe 0,4% qumësht i skremuar.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se prodhimi i djathit u rrit me 1,9% gjatë vitit 2025, duke arritur në 10.688 tonë. Prodhimi i djathit nga qumështi i lopës u rrit me 9,9%, ndërsa ai nga qumështi i deles dhe i dhisë shënoi rënie përkatësisht me 21,8% dhe 1,7%.

Sipas INSTAT, edhe prodhimi i qumështit të acidifikuar, si kosi dhe dhalla, u rrit në mbi 14 mijë tonë nga mbi 11 mijë tonë një vit më parë, ndërsa prodhimi i qumështit për konsum arriti në 14,5 mijë tonë, në rritje krahasuar me 12,3 mijë tonë në vitin 2024. Prodhimi i gjalpit arriti në 599 tonë, ku 96% përbëhet nga gjalpë tradicional.

EMISIONET