Panik në ajër në Greqi, thyhet dritarja e avionit pas defektit në motor

Momente paniku janë shënuar në një fluturim të Ryanair, i operuar nga Malta Air, i cili ishte nisur nga Selaniku drejt Memmingenit të Gjermanisë.
Mediat fqinje raportojnë se një defekt në motor detyroi pilotët të kryenin ulje emergjente.
Sipas dëshmive të pasagjerëve, pak minuta pas ngritjes u dëgjua një zhurmë e fortë dhe një fragment i motorit goditi një dritare të avionit, duke e thyer atë.
Një pasagjer 61-vjeçar, i ulur pranë dritares, rrezikoi të tërhiqej jashtë nga presioni i ajrit, por u mbajt nga pasagjerët e tjerë. Ai pësoi lëndime në qafë dhe djegie të lehta, ndërsa ishte në gjendje shoku.
Maskat e oksigjenit u aktivizuan automatikisht dhe pilotët vendosën të ktheheshin në aeroportin e Selanikut, ku avioni u ul në mënyrë të sigurt. Katër pasagjerë u dërguan në spital për kontrolle të mëtejshme.
Autoritetet greke kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e defektit në motor, ndërsa Ryanair vuri në dispozicion një avion tjetër për të transportuar pasagjerët drejt destinacionit të tyre.

