De la Fuente dhe Spanja e artë: Një brez i ri me ambicie historike

De la Fuente dhe Spanja e artë: Një brez i ri me ambicie historike

Spanja po shkon drejt një tjetër kapitulli të madh në historinë e futbollit të saj, shkruan BBC.

Pas triumfit në Kampionatin Evropian dy vite më parë, skuadra spanjolle synon të fitojë edhe Kupën e Botës, një arritje që vetëm tri kombe e kanë realizuar më parë: Spanja në vitin 2010, Franca në vitin 2000 dhe Gjermania Perëndimore në vitin 1974.

Luis De la Fuente, i cili mori drejtimin e kombëtares spanjolle në janar të vitit 2023, ka arritur të krijojë një ekip të qëndrueshëm dhe konkurrues në nivelin më të lartë. 

Gjatë periudhës së tij si trajner, Spanja ka humbur vetëm tri ndeshje dhe aktualisht numëron 35 ndeshje radhazi pa humbje.

Por suksesi i tij nuk shpjegohet vetëm me skemat taktike apo mënyrën e organizimit të lojës. 

Sipas analizës, ajo që e dallon De la Fuenten është aftësia për të krijuar një kulturë të fortë brenda ekipit, ku rëndësi kanë karakteri, bashkëpunimi dhe përkushtimi.

Një skuadër e ndërtuar mbi karakterin

Në filozofinë e trajnerit spanjoll qëndron një ide e thjeshtë: futbolli është një sport kolektiv dhe fitohet nga njerëz që vendosin ekipin mbi veten.

Për De la Fuenten, një lojtar i mirë nuk është vetëm ai që ka talent teknik, por edhe ai që ndihmon shokët e skuadrës, respekton rregullat, pranon sakrificat dhe punon për objektivin e përbashkët.

“Një dhomë zhveshjeje funksionon kur ka njerëz që japin për ekipin”, tha ai, duke nënvizuar se talenti individual nuk mjafton nëse mungon harmonia mes lojtarëve.

Trajneri 65-vjeçar ka kaluar shumë vite në sistemin e futbollit spanjoll dhe ka punuar me shumë prej lojtarëve aktualë që kur ishin në ekipet e të rinjve. 

Kjo i ka dhënë mundësinë të njohë jo vetëm aftësitë e tyre në fushë, por edhe karakterin dhe mënyrën e sjelljes së tyre.

Spanja ruan identitetin e saj

Një nga avantazhet më të mëdha të Spanjës është se ajo nuk po përpiqet të ndërtojë një projekt të ri nga fillimi. 

Kombëtarja ka një identitet të krijuar prej dekadash, i bazuar te kontrolli i topit, pasimet e shumta, qarkullimi i shpejtë i lojës dhe inteligjenca taktike e lojtarëve.

De la Fuente nuk e ka ndryshuar këtë filozofi, por e ka përshtatur me kërkesat e futbollit modern. 

Ai i ka shtuar ekipit më shumë fleksibilitet, më shumë siguri në mbrojtje dhe aftësi për të reaguar në situata të ndryshme gjatë ndeshjeve.

Për këtë arsye, edhe pse kundërshtarët e dinë mënyrën se si luan Spanja, përsëri e kanë shumë të vështirë ta ndalin. 

Një anëtar i stafit të Portugalisë e ka përshkruar ekipin spanjoll si “skuadrën më të lehtë për t’u analizuar, por më të vështirën për t’u mposhtur”.

Përvoja i ka mësuar qetësinë

De la Fuente pranon se në vitet e para të karrierës së tij reagonte më shumë emocionalisht gjatë ndeshjeve. 

Por përvoja i ka mësuar se qetësia dhe kontrolli janë thelbësore në momentet e vështira.

Ai kujton se në të kaluarën Spanja ka humbur ndeshje kur është përfshirë në tensione, provokime ose ka dalë nga mënyra e saj normale e lojës.

Sot ai kërkon nga lojtarët të ruajnë përqendrimin dhe të mos lejojnë që kundërshtari t’i largojë nga identiteti i tyre.

Sfida më e madhe: Menaxhimi i Lamine Yamal

Një nga detyrat më të ndjeshme të De la Fuentës është menaxhimi i yllit të ri Lamine Yamal. 

Futbollisti 18-vjeçar është bërë një nga figurat kryesore të Spanjës dhe një nga talentet më të mëdha në botë.

Trajneri thotë se ndaj tij ka zgjedhur një qasje të qetë: t’i japë besim dhe ta ndihmojë të rikthehet gradualisht në formën optimale pas dëmtimit.

Sipas De la Fuente, ndeshja ndaj Portugalisë ishte një moment shumë i rëndësishëm për Yamal, jo vetëm për shkak të aftësive të tij me topin, por sepse tregoi një anë tjetër të lojës: punën, disiplinën dhe angazhimin për ekipin.

“Ky është momenti i tij. Jo momenti për të shënuar dhjetë gola, por për të qenë vendimtar në ndeshjet vendimtare”, deklaroi trajneri.

Suksesi ndërtohet me disiplinë

Për De la Fuenten, suksesi nuk vjen nga një ndeshje e vetme, por nga puna e vazhdueshme. 

Ai e përshkruan disiplinën dhe vazhdimësinë si pjesë të mënyrës së tij të jetesës.

Edhe jashtë punës si trajner, ai ruan një rutinë të fortë fizike dhe beson se përkushtimi i përditshëm, është çelësi i arritjeve të mëdha.

Tani objektivi i tij është i qartë: ta udhëheqë Spanjën drejt një tjetër trofeu historik dhe të dëshmojë se kombinimi i talentit, kulturës së ekipit dhe vazhdimësisë mund të sjellë suksesin më të madh në futbollin botëror.

EMISIONET