Protesta në ditën e 41/ Qytetarë dhe aktivistë në shesh kërkojnë dorëheqjen e qeverisë

Ka nisur organizimi i protestuesve në sheshin “Skënderbej”.

Sot protesta qytetare hyn në ditën e saj të 41-të, duke u kthyer në një nga lëvizjet më të gjata qytetare që ka njohur Shqipëria në vitet e fundit.

Për 41 ditë me radhë, qytetarët janë mbledhur çdo mbrëmje para Kryeministrisë me të njëjtat thirrje që dëgjohen që prej ditës së parë, kundër qeverisë.

Edhe mbrëmjen e djeshme, si në 39 ditët e tjera, pas tubimit para Kryeministrisë, protestuesit marshuan në rrugët e Tiranës, ndaluan para Kuvendit dhe më pas përpara selisë së Partisë Demokratike.

Përmes pankartave dhe thirrjeve në kor, protestuesit kanë artikuluar qartë kërkesën e tyre kryesore: dorëheqjen e menjëhershme të qeverisë të udhëhequr nga Kryeministri Edi Rama.

Në ballë të grumbullimit ranë në sy pankarta të mëdha me mesazhe të prera politike dhe sociale si "Edi Rama dorëhiqu" dhe "Shqipëri e Re", të shoqëruara nga flamujt kuqezi. Pjesëmarrësit, të moshave të ndryshme, u shprehën të vendosur për të mos u tërhequr deri në plotësimin e pikave të tyre.

Sipas organizatorëve, qëndresa do të vijojë edhe në ditët në vijim, duke premtuar përshkallëzim të aksionit qytetar nëse nuk do të ketë një refleksion nga ana e autoriteteve.

EMISIONET