Fundi i parave në dorë, Mala: Çfarë fshihet pas detyrimit të ri për bizneset dhe kush do ta paguajë faturën

Shqipëria po hedh hapa të shpejtë drejt reduktimit të parasë fizike duke bërë të detyrueshme pajisjen e bizneseve me terminale POS.

Kontabilisti Armand Mala, në një intervistë për “Ora News” sqaroi se hapi i parë i kësaj nisme ka nisur me sektorin e turizmit, duke përfshirë strukturat akomoduese dhe transportin, si një zgjidhje ndaj fluksit të turistëve të cilët janë të mësuar me pagesat elektronike.

Megjithatë, deri në fund të këtij viti, çdo biznes që arkëton para do të jetë i detyruar të ofrojë pagesën me kartë për konsumatorët.

Ndonëse kjo nismë shitet si një lehtësim i faturimeve dhe përafrim me standardet evropiane, ekziston një anë tjetër e medaljes që lidhet drejtpërdrejt me xhepin e qytetarëve.

Mala theksoi se kostoja e mbajtjes së këtyre pajisjeve dhe përqindjet e larta që aplikojnë bankat për çdo transaksion, me shumë gjasa do të bien mbi supet e konsumatorit final.

Komisionet e bankave në Shqipëri mbeten relativisht të larta, duke u përkthyer shpesh në një tarifë shtesë prej 2-3% që fshihet brenda çmimit përfundimtar të produktit ose shërbimit.

Një rast ilustrues i sjellë në vëmendje nga Mala është ai i sektorit të transportit. Sipas të dhënave, kostot fikse të mirëmbajtjes së terminaleve POS dhe përqindja që mban banka e bëjnë gati të papërfillshëm fitimin nga vetë bileta.

Duke qenë se bizneset rrallëherë pranojnë të mbajnë mbi vete këto shpenzime, faturimi i tyre kalon tek blerësit.

Nga ana tjetër, kjo reformë është pjesë e një strategjie më të gjerë shtetërore për të luftuar evazionin fiskal.

Pajisja masive me POS është e kombinuar me masa të tjera të ashpra ligjore, siç është ulja e tavanit të pagesave kesh nga 150 mijë në 100 mijë lekë për transaksionet mes bizneseve, si dhe vendosja për herë të parë e një limiti prej 500 mijë lekësh për transaksionet me para në dorë mes bizneseve dhe individëve.

Qëllimi final i këtyre lëvizjeve është formalizimi i ekonomisë, duke e bërë çdo transaksion financiar më lehtë të gjurmueshëm nga autoritetet.

PËR MË SHUMË NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME KONTABILISTIN ARMAND MALA

EMISIONET