NGA MJEDISI NË POLITIKË/ Kikia: Protesta s'është më lokale, është shndërruar në një lëvizje me agjendë të qartë politike

Protestat që nisën si një reagim mjedisor kundër ndërtimit të një resorti në zonën e Zvërnecit kanë marrë një kthesë të papritur, duke u shndërruar në një lëvizje të gjerë me kërkesa të forta politike.

Ajo që nisi në Vlorë dhe u zhvendos në sheshet e Tiranës, tashmë po zgjerohet me shpejtësi, jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë kufijve.

Sipas analistit dhe gazetarit Mentor Kikia, përmbajtja e protestës nuk është më thjesht mbrojtja e peizazhit natyror Pish Porë - Nartë - Zvërnec. Kauza ka kaluar në një nivel tjetër, duke u kthyer në një lëvizje me një agjendë thellësisht politike që kërkon dorëheqjen e qeverisë dhe anulimin e një sërë ligjesh të debatuara.

Mes kërkesave kryesore janë shfuqizimi i ligjit për "Paketën e maleve", si dhe anulimi i ndryshimeve ligjore të vitit 2024 për zonat e mbrojtura, të cilat u kanë hapur rrugë investimeve në këto territore.

I ftuar në një lidhje të drejtpërdrejtë në "Ora News", analist Mentor Kikia, i cili deklaroi se protesta ka dalë përtej kufijve lokalë të Zvërnecit, duke u kthyer në një lëvizje me agjendë të qartë politike.

Sipas tij, qytetarët tashmë kërkojnë dorëheqjen e qeverisë dhe shfuqizimin e ligjeve si ai për Zonat e Mbrojtura dhe Investimet Strategjike, të cilat ai i cilësoi si rrugë që i hapën dritën jeshile ndërtimit të vilave dhe bizneseve në dëm të mjedisit dhe turizmit.

"Protesta ka dalë nga Zvërneci, jo sepse thjesht është zhvendosur gjeografikisht nga parku natyror Pishporë-Nartë-Zvërnec për në Tiranë, por sepse përmbajtja e saj nuk është më thjesht një çështje mjedisore.

Edhe pse në simbolikat e protestës që mbahet në Tiranë prej disa ditësh janë shpendët karakteristikë të lagunës së Nartës, përmbajtja e saj tashmë është thellësisht politike, edhe pse çdo protestë është politike edhe kur ajo ka karakter mjedisor apo karaktere të ndryshme që mund të jenë me çështje lokale.

Pra, çdo protestë për mua është politike derisa ajo i adresohet qeverisë, i adresohet politikës për zgjidhje.

Por përtej kësaj, protesta tashmë qytetare që jemi mësuar ta thërrasim, ta emërtojmë, është edhe me agjendë politike, derisa kërkon dorëheqjen e qeverisë dhe anulimin e një sërë ligjesh që prekin drejtpërdrejt territorin në pjesën bregdetare të tij, por jo vetëm.

Duke patur parasysh këtu që kërkohet shfuqizimi edhe i ligjit për të ashtuquajturën paketa e maleve, ndryshimin apo anulimin e ndryshimeve ligjore për zonat e mbrojtura të vitit 2024, që në fakt është edhe ndryshimi që i hapi rrugë investimeve brenda këtyre territoreve natyrore me status të mbrojtur".-u shpreh ai.

NDIQNI INTERVISTEN E PLOTE

EMISIONET