Ylli i “Game of Thrones” flet për pasojat afatgjata të dëmtimeve në tru!

Aktorja e njohur Emilia Clarke ka folur për herë të parë në mënyrë të hapur për përvojën e saj të rëndë shëndetësore, pasi në të 20-at e saj pësoi dy hemorragji cerebrale që i ndryshuan jetën.
Gjatë një fjalimi në eventin “Variety’s Power of Women London”, aktorja e “Game of Thrones” rrëfeu se për vite të tëra nuk kishte folur publikisht për këtë periudhë të vështirë, duke pranuar se i duhej kohë për të përballuar të vërtetën e saj.
Clarke tregoi se në vitin 2011 pësoi hemorragjinë e parë, ndërsa një tjetër pasoi në vitin 2013. Ajo tha se në atë kohë nuk e kuptonte plotësisht diagnozën dhe ndjente turp e konfuzion për atë që po i ndodhte.
Aktorja shpjegoi se pavarësisht dëmtimeve serioze në tru, ajo u kthye shpejt në punë dhe shpesh nuk e kuptoi ndikimin afatgjatë të traumave, duke i ngatërruar simptomat me stresin dhe ngarkesën e punës në industrinë e filmit.
Në rrëfimin e saj, Emilia Clarke theksoi gjithashtu se themeloi organizatën bamirëse “SameYou”, e cila mbështet personat që rikuperohen nga dëmtimet në tru.
Ajo shtoi se sot ndihet më mirë dhe ka rikuperuar energjinë e saj, duke punuar me specialistë të neuroshkencës për të kuptuar më mirë procesin e shërimit.
Clarke përfundoi duke theksuar rëndësinë e ndërgjegjësimit për dëmtimet në tru dhe ndikimin e tyre afatgjatë në jetën e pacientëve./CNN


