Fshihen 60 milionë euro detyrime tatimore, mbi 22 mijë subjekte përfituese

Administrata Tatimore ka përfunduar fazën e parë të zbatimit të ligjit për faljen me kusht të detyrimeve tatimore të papaguara. Nga procesi kanë përfituar mbi 22 mijë tatimpagues, ndërsa janë fshirë ose shuar detyrime me vlerë rreth 60 milionë euro.
Sipas njoftimit të Administratës Tatimore, procesi vijon me fazën e dytë, e cila parashikon faljen deri në 25% të detyrimit principal për periudhën 2015–2019, për tatimpaguesit që kryejnë pagesat brenda afatit të përcaktuar, deri në fund të dhjetorit 2026.
Në zbatim të udhëzimit nr. 11, datë 14 maj 2026, brenda 20 ditëve nga hyrja në fuqi e tij do të hartohet lista e plotë e subjekteve që përfitojnë nga fshirja e detyrimeve, si dhe lista e atyre që nuk përfitojnë.
Vetëm tatimpaguesit që nuk plotësojnë kushtet do të njoftohen elektronikisht përmes sistemit "e-Filing". Pas përfundimit të këtij procesi, Administrata Tatimore do të vijojë me kompensimin automatik të tepricës kreditore të TVSH-së ose të tatimeve të tjera me detyrimet ekzistuese.
Ligji parashikon fshirjen e plotë të detyrimeve tatimore të papaguara deri më 31 dhjetor 2014, përfshirë gjobat dhe kamatëvonesat. Për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore nuk falet detyrimi principal.
Për detyrimet e krijuara gjatë periudhës 1 janar 2015–31 dhjetor 2019, parashikohen dy skema përfitimi. Subjektet që kanë paguar 50% të detyrimit brenda afatit të parë përfitojnë faljen e 50% të mbetur, ndërsa për pagesat e kryera deri më 31 dhjetor 2026 falet 25% e detyrimit principal. Në të dy rastet, gjobat dhe kamatëvonesat fshihen plotësisht.
Për detyrimet e periudhës 2020–2024 fshihen gjobat dhe kamatëvonesat, me kusht që tatimi principal të paguhet i plotë brenda afatit ligjor.
Ligji parashikon gjithashtu fshirjen e detyrimeve për subjektet e çregjistruara deri në fund të vitit 2024, faljen e gjobave për deklarimet e vonuara, pasqyrat financiare të dorëzuara me vonesë dhe një sërë gjobash administrative të krijuara deri më 31 dhjetor 2024.
Nga përfitimet përjashtohen subjektet e dënuara me vendim të formës së prerë për vepra penale në fushën tatimore ose doganore, ato që janë në proces hetimi apo gjykimi për këto vepra, si edhe subjektet për të cilat ekziston një vendim gjyqësor në favor të administratës tatimore ose doganore.
Tatimpaguesit që kanë çështje në proces ankimi administrativ ose gjyqësor mund të përfitojnë nga ligji vetëm nëse heqin dorë nga ankimi ose padia, sipas procedurave të përcaktuara. Administrata Tatimore u kërkon tatimpaguesve të verifikojnë situatën e tyre në sistemin "e-Filing" dhe të kryejnë pagesat brenda afateve për të përfituar nga lehtësitë e parashikuara në ligj.


