India kërkon sqarime nga Irani pas vd*kjes së detarit në Ngushticën e Hormuzit

Tensionet në Ngushticën e Hormuzit kanë sjellë përplasje të reja diplomatike, pasi India ka thirrur zëvendësambasadorin e Iranit për të kërkuar sqarime pas vdekjes së një detari indian gjatë një incidenti me anije në rajon.
Detari humbi jetën pasi dy tankerë u goditën nga raketa pranë brigjeve të Omanit, ndërsa tetë anëtarë të tjerë të ekuipazhit mbetën të plagosur. Ngjarja ka rritur shqetësimet për sigurinë e transportit detar në një nga rrugët më të rëndësishme të furnizimit me energji në botë.
Një zyrtar i qeverisë indiane bëri të ditur se zëvendësambasadori iranian është thirrur për të dhënë sqarime mbi rrethanat e sulmit dhe vdekjen e shtetasit indian.
Nga ana e saj, Teherani ka bërë të ditur se dy tankerët ishin “shkelës” dhe se goditja erdhi pasi, sipas autoriteteve iraniane, anijet nuk respektuan paralajmërimet dhe tentuan të kalonin në një zonë të konsideruar të rrezikshme.
Sulmi ka prekur dy mjete lundruese pranë brigjeve të Omanit, në një zonë ku tensionet janë rritur ndjeshëm që prej fillimit të konfliktit në rajon.
Sipas të dhënave të agjencisë detare të Kombeve të Bashkuara, që nga fillimi i luftës më 28 shkurt dhe deri në fillim të qershorit, 14 detarë kanë humbur jetën në incidente të ndryshme në zonën e Gjirit Persik dhe Ngushticës së Hormuzit.


