(VIDEO) “Po përpiqesha të ndalesha”/ Fjalët e fundit të 26-vjeçarit para se të vr*tej nga agjenti i ICE në Maine

Një operacion i Shërbimit Amerikan të Emigracionit dhe Doganave (ICE) në shtetin Maine përfundoi me vdekjen e një 26-vjeçari, duke shkaktuar reagime të forta dhe kërkesa për hetim të plotë mbi rrethanat e ngjarjes.
Ngjarja ndodhi të hënën në qytetin Biddeford, ku një agjent i ICE përdori armën e shërbimit gjatë një ndërhyrjeje ndaj të riut. Rasti vjen në një kohë kur operacionet e emigracionit në SHBA po përballen me kritika për mënyrën e përdorimit të forcës.
Sipas Departamentit amerikan të Sigurisë Kombëtare (DHS), 26-vjeçari ishte subjekt i një urdhri përfundimtar dëbimi dhe gjatë operacionit tentoi të largohej me automjet. Autoritetet federale bëjnë të ditur se agjenti hapi zjarr pasi automjeti përbënte rrezik për sigurinë.
Hetimet paraprake nga autoritetet e Maine tregojnë se automjeti lëvizte në drejtim të oficerit në momentin kur u përdor arma. Agjenti është pezulluar përkohësisht nga detyra, ndërsa FBI ka nisur hetimin për të zbardhur të gjitha rrethanat e incidentit.
Por versioni zyrtar është kundërshtuar nga organizatat që mbrojnë të drejtat e emigrantëve. Koalicioni për të Drejtat e Imigrantëve në Maine dhe organizata Presente Maine kanë bërë të ditur se viktima ishte një shtetas kolumbian 26-vjeçar dhe se sipas tyre ai kishte dokumente të ligjshme për qëndrimin dhe punën në SHBA.
Dëshmitarë në vendngjarje kanë përshkruar momentet pas përplasjes mes automjeteve dhe të shtënave. Një prej tyre tregoi se pa të riun të nxirrej nga makina nga agjentët e ICE dhe më pas të mbetej i plagosur rëndë.
Rasti ka shkaktuar reagime edhe në nivel politik. Senatori i Maine, Angus King, ka kërkuar një hetim të pavarur dhe transparent për të sqaruar nëse operacioni ishte zhvilluar sipas procedurave.
Pas ngjarjes, banorë dhe aktivistë dolën në protesta në rrugët e Biddeford, duke kërkuar përgjegjësi dhe më shumë informacion mbi vdekjen e 26-vjeçarit.
Incidenti pritet të rikthejë debatin në Shtetet e Bashkuara mbi mënyrën e zbatimit të politikave të emigracionit dhe përdorimin e forcës nga agjentët federalë.
BREAKING: Authorities say a person reportedly tried to run over an ICE agent in Maine, prompting the agent to fire in self-defense. One person was killed. pic.twitter.com/g8oOuAWpKk
— Breaking911 (@Breaking911) July 13, 2026


