NJË TJETËR VATËR ZJARRI NË VLORË/ Përfshihet nga flakët zona me pisha, ja çfarë dyshohet se e shkaktoi

Një vatër zjarri është aktivizuar mëngjesin e kësaj të marte në lagjen “15 Tetori” në Vlorë, duke krijuar shqetësim për banorët e zonës.
Flakët janë përhapur në një hapësirë me pemë pishe dhe shkurre pranë disa banesave, ndërsa era e fortë ka favorizuar zgjerimin e vatrës.
Sipas dyshimeve paraprake, zjarri mund të jetë shkaktuar qëllimisht për pastrimin e territorit nga barishtet dhe shkurret, por ndërhyrja e shpejtë është bërë e nevojshme për të shmangur afrimin e flakëve drejt zonave të banuara.
Në vendngjarje kanë mbërritur ekipet zjarrfikëse, të cilat po punojnë për izolimin dhe shuarjen e zjarrit.
Situata po monitorohet për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike dhe rrezikut të përhapjes së mëtejshme.
Kjo është vatra e dytë e zjarrit e regjistruar në të njëjtën zonë gjatë ditëve të fundit, duke rikthyer shqetësimet për sigurinë gjatë periudhës së temperaturave të larta dhe thatësirës.


