Goditje për pronarët e apartamenteve/ Azo: Drafti i ri rrit taksën deri në 4-fish, banesat do të vlerësohen me çmimin e tregut

Goditje për pronarët e apartamenteve/ Azo: Drafti i ri rrit

Një draft i ri i Ministrisë së Financave pritet të sjellë ndryshime të rëndësishme në mënyrën se si do të llogaritet taksa e pasurisë së paluajtshme në Shqipëri.

Projektligji, i propozuar fillimisht në vitin 2023 por që nuk mori miratimin, është rikthyer sërish me disa ndryshime dhe synon përfshirjen e të gjitha kategorive të pronave në një skemë të re taksimi.

Për të diskutuar ndryshimet e propozuara dhe ndikimin që mund të kenë te qytetarët, e ftuar në studion e Ora News ishte gazetarja ekonomike Dorina Azo, e cila solli detaje mbi draftin dhe efektet e mundshme për pronarët.

"Ndryshimi i shkallës së taksës së pasurisë përfshin apartamentet, objektet që përdoren për qëllime tregtare, trojet dhe tokat bujqësore. Ky draft është propozuar edhe më herët nga Ministria e Financave në vitin 2023, por nuk arriti të miratohej dhe tani është rikthyer me disa ndryshime. Pika kryesore është se të gjitha llojet e pasurive të paluajtshme do të përfshihen në një skemë të re taksimi."-tha ajo.

Sipas draftit, ndryshimi kryesor lidhet me mënyrën e vlerësimit të pronave, ku baza e llogaritjes do të jetë vlera reale e tregut. Aktualisht, ndërtesat e banimit dhe objektet tregtare paguajnë taksë, ndërsa trojet dhe tokat bujqësore kanë një barrë shumë më të ulët fiskale.

Me skemën e re, edhe këto kategori pritet të vlerësohen sipas çmimeve të tregut, duke ndryshuar ndjeshëm mënyrën e përllogaritjes së detyrimeve.

Pjesa më e ndjeshme e ndryshimeve lidhet me apartamentet. Aktualisht, taksa e banesave llogaritet me 0.05% të vlerës së pasurisë, ndërsa propozimi i ri parashikon një normë nga 0.1% deri në 0.2%.

Kjo do të sillte një rritje të shkallës së taksimit nga 100% deri në 300%, duke bërë që në disa raste pronarët të paguajnë deri katër herë më shumë se aktualisht.

"Aktualisht apartamentet taksohen me 0.05% të vlerës së tyre. Propozohet një shkallë e re që varion nga 0.1% deri në 0.2%, pra kemi një rritje të shkallës së taksimit nga 100% deri në 300% më të lartë. Formula bazë mbetet e njëjtë, pasi taksa do të vazhdojë të llogaritet mbi vlerën e pasurisë, por ndryshon përqindja që do të aplikohet."-shtoi Azo.

Drafti pritet të prekë jo vetëm pronarët e apartamenteve, por edhe bizneset që zotërojnë ambiente tregtare, si dhe pronarët e trojeve dhe tokave bujqësore, të cilat deri tani kanë pasur një trajtim më të kufizuar në taksim.

Ndryshimet, nëse miratohen, do të sjellin një rritje të barrës fiskale për shumë kategori pronarësh dhe do të ndryshojnë mënyrën e llogaritjes së taksës së pasurisë në vend.

 

EMISIONET