"Flakin qershitë se s'kanë ku ti shesin", Rama shfajëson qeverinë: Bujqësia nuk ecën para me lëmoshë

Kryeministri Edi Rama vijon të jetë i bindur se teoria e kooperativizmit, bashkimi do të sjellë suksesin e merituar fermerit aq më tepër në këtë krizë botërore të shkaktuar dhe nga lufta në Ukrainë.

Se niveli i suksesit për të realizuar një zhvillim që prodhon mirëqenie nuk varet nga çfarë ke por varet nga sa di dhe në këtë aspekt qeveria nuk mund të bëjë çdo gjë. Si shembull sjell rastin e fermerëve të qershive që flakin qershitë pasi nuk kanë treg ndërkohë që një fermer tjetër thotë Rama ka sukses.

Edi Rama: ” Dalin në televizion pamjet e disa fermerëve që fatkeqësisht hedhin qershitë e tyre se nuk i shesin dot. Dhe bërtasin për subvencione, bërtasin për qeverinë që nuk i ndihmon dot dhe bërtasin për çmimet dhe kjo duhej të ishte shqetësuese nëse do të ndodhte në të gjithë Shqipërinë por në të njëjtin territor ka të tjerë që pikërisht me qershinë dhe pikërisht në këto kohë e me këto vështirësi bëjnë sukses. Dhe bëjnë më shumë sukses pikërisht si rezultat i rritjes së çmimeve. Pse për të njëjtin vullnet dhe përkushtim, për të njëjtën sasi djerse që derdhin disa bëjnë të ardhura të larta falë atij prodhimi?

Është e njëjta qeveri, i njëjti pushtet, të njëjtat struktura, të njëjtat dobësi dhe ja ku janë dy realitete të ndryshme. Çfarë duhet bërë këtu? E para ata fermer duhet të marrin mundimin e të shkojnë tek ata të tjerët e tju thonë ore si e bëni ju këtë dhe ta shikojnë atje në terrenin e realitetit se si ndodh kjo. Dhe e dyta i takon Ministrisë së Bujqësisë, AZHBR etj që të ndërtojnë këto ura komunikimi dhe kanale informacioni për të transferuar dijen e krijuar nga njerëzit në territor”

Është optimist dhe beson tek teoria e kooperativimit.

Edi Rama:“Jam shumë optimist dhe fragmentimi i tokës është i kapërcueshëm në momentin kur nuk kemi të fragmentuar komunitetin, nëse komunitetet bashkohen nuk ka rëndësi se tokën e kemi të fragmentuar.

Nëse arrijmë të bashkojmë trurin dhe ta çojmë në një drejtim komunitetin nuk ka qershi që nuk shitet se më doli përballë shitësi I qershive. Nëse rrimë të ndarë bëhet problem fragmentimi i tokës, mekanikës dhe gjithçkaje siç është sot rezultati I fragmentuar.”

Ka dhe një tjetër mendim për subvencionet, të financohet suksesi dhe jo subvencion për mbijetesë.

Edi Rama: Refuzoj të pranoj që bujqësia në Shqipëri mund të shkojë përpara me lëmosha apo me subvencione apo politika fiskale që krijojnë vetëm iluzione e nuk prodhojnë sukses.

Subvencioni i mbijetesës në bujqësi do të thotë përsëritje e ciklit të mbijetesës dhe pamundësi për të dalë nga ai rreth vicioz, ndërsa financimi i suksesit do të thotë krijimi i bujqësisë sipërmarrëse. Këtu ata që janë nga komuniteti, janë sipërmarrës sot, nuk janë njerëz që mbjellin tokën, mbushin trastë, dalin tek autostrada, shesin domate dhe patate dhe mbajnë familjen me bukë. Janë njerëz që bëjnë sukses financiar. Politika merre fondin e bujqësisë e shpërndaje me thërrime ka qenë një ndër spektaklet e dështimit. Ndërsa politika në shërbim të suksesit është ajo që duhet dhe po na jep rezultate”

EMISIONET