Aksidenti te rrethrrotullimi i Unazës së Madhe/ Eksperti Gëzim Hoxha: Një manovër e gabuar për 1 sekondë mund të ketë bërë betonieren të binte nga ura
Një aksident i rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në rrethrrotullimin e TEG-ut, ku një person ka humbur jetën dhe dy të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Një mjet i tonazhit të rëndë, pompë betoni, ka humbur kontrollin dhe ka rënë nga mbikalimi në aksin e poshtëm të autostradës.
Eksperti i sigurisë rrugore, Gëzim Hoxha, në një lidhje të drejtpërdrejtë në "Ora News", u shpreh se mekanizmi i aksidentit lidhet me një humbje të ekuilibrit dhe kontrollit nga ana e drejtuesit të një betoniereje, në përpjekje e sipër për të shmangur përplasjen me një mjet tjetër. Fizika e lëvizjes tregon se edhe në një shpejtësi relativisht të ulët prej 40 km/h, një mjet përshkon mbi 11 metra në një sekondë të vetme. Pikërisht kjo fraksion kohe, e shoqëruar me një manovër të gabuar apo një humbje të mundshme të vëmendjes, ka rezultuar fatale duke bërë që mjeti të bjerë nga ura.
" Këtu ka një gjë që vetë mekanizmi i ngjarjes shpjegohet që këtu kemi përplasjen e dy automjeteve. Pra, në momentin e përplasjes së dy automjeteve, drejtuesi i mjetit e humb ekuilibrin.
Pra ndoshta ka dashur të devijojë drejtuesi i betonieres, ka dashur të devijojë aksidentin, mirëpo duhet të kemi parasysh që shpejtësia me të cilën lëvizet, po e marrim shpejtësinë 40 km/h, në 40 km, ai bën 11.11 metra në 1 sekondë.
Pra, 1 sekondë nëse ai nuk e menaxhon automjetin drejt ose mirë, atëherë ai bie nga ura. Pra kaq është e gjithë historia. Pra, një manovër e bërë keq për 1 sekondë, bie, ka rënë nga ura.
Ky është edhe shkaku që mendoj që në manovrën e sipër për të devijuar aksidentin, për të shmangur aksidentin, ka pasur një humbje vëmendjeje, nuk e di për çfarë shkaqesh, edhe kaq është. Në rrethrrotullim duhet të ulet shpejtësia sepse rrethrrotullimi presupozon që është kryqëzim rrugësh", u shpreh Hoxha.
Ndiqni intervistën e plotë:

