FOTO/ Zjarr në Voskopojë, flakët përfshijnë zonën “Antenat”, terreni i vështirë pengon ndërhyrjen

Një vatër zjarri është regjistruar në vendin e quajtur “Antenat”, në Voskopojë, ku forcat zjarrfikëse dhe strukturat vendore janë angazhuar për vënien nën kontroll të flakëve.
Në drejtim të zonës janë nisur dy mjete të shërbimit zjarrfikës, ndërsa në operacion janë përfshirë edhe punonjës të Njësisë Administrative Voskopojë dhe të Shërbimit Pyjor.
Për shkak të terrenit të thyer, automjeti zjarrfikës nuk mund të afrohet pranë vatrës së zjarrit, ndaj efektivët po ndërhyjnë në këmbë për të frenuar përhapjen e flakëve.
Pas vlerësimit të situatës në terren, autoritetet do të koordinojnë masat e mëtejshme për neutralizimin e plotë të zjarrit.


