EuroNatur: Shqipëria nuk ka respektuar procedurat

EuroNatur: Shqipëria nuk ka respektuar procedurat

Më 2 qershor, Komisioni Evropian deklaroi për DW se po ndjek nga afër zhvillimet në zonën e mbrojtur të Pishë-Poro–Nartës dhe theksoi se standardet e BE-së duhet të merren plotësisht në konsideratë në këtë projekt. Ndërkohë Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë paralajmëroi se Shqipëria duhet të shmangë veprime që mund të cenojnë përmbushjen e kritereve të Kapitullit 27 dhe se pret që autoritetet shqiptare “të veprojnë pa vonesë”.

Të hënën, Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi se Komisioni ka marrë garanci nga qeveria shqiptare se “do të kryhet një vlerësim i plotë i ndikimit në mjedis dhe se standardet evropiane të mbrojtjes së mjedisit do të respektohen”. Deklarata kundërshtohet nga organizata mjedisore EcoAlbania, e cila argumenton se procedurat mjedisore duhej të paraprinin çdo ndërhyrje në terren dhe jo të ndiqnin punimet e nisura.

Asnjë nga elementet e zhvillimit të qëndrueshëm

Në një intervistë për DW, Annette Spangenberg, drejtuese e sektorit të ruajtjes së natyrës në organizatën ndërkombëtare EuroNatur, thotë se zhvillimet në Pishë-Poro–Nartë konfirmojnë shqetësimet që BE-ja ka ngritur prej kohësh për mbrojtjen e zonave të mbrojtura. “Në rastin e këtij projekti, asnjë nga elementet e zhvillimit të qëndrueshëm nuk është demonstruar në mënyrë bindëse” – thotë Spangenberg.

EuroNatur: Shqipëria nuk ka respektuar procedurat
Annette Spangenberg, drejtuese e sektorit të ruajtjes së natyrës në organizatën ndërkombëtare EuroNaturFotografi: Kerstin Sauer

Pse projekti i Zvërnecit ka tërhequr vëmendje përtej Shqipërisë?

Zona e Pishë Poro–Nartës është pjesë e Peizazhit të Mbrojtur Vjosë–Nartë dhe një nyje e rëndësishme për shpendët migratorë përgjatë korridorit të Adriatikut. Për këtë arsye, dëmtimi i habitateve në këtë zonë ngre shqetësime që shkojnë përtej Shqipërisë, veçanërisht në një kohë kur vendi synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Në shtator të vitit të kaluar Bashkimi Evropian miratoi Pozicionin e Përbashkët për Klasterin 4, i cili përfshin kritere të lidhura me Kapitullin 27 për mjedisin. Ky pozicion kërkon që Shqipëria të shfuqizojë ndryshimet në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, , të cilat lejojnë zhvillime turistike luksoze brenda këtyre zonave dhe të sigurojë që projektet e reja të vlerësohen në përputhje me standardet e BE-së. Gjithashtu, kërkohet rishikimi i Ligjit për Statusin e Investitorit Strategjik.

EuroNatur: Shqipëria nuk ka respektuar procedurat
Nga këndvështrimi i ruajtjes së natyrës zhvillimi më i fundit dhe më shqetësues lidhet me ndryshimet në Ligjin për Zonat e MbrojturaFotografi: Malton Dibra/Light Studio Agency/IMAGO

Zhvillimet e fundit në Pishë Poro–Nartë tregojnë se shqetësimet e ngritura nga BE-ja nuk janë më thjesht rreziqe potenciale, por po materializohen në terren. Aktualisht mungojnë transparenca, vlerësimet e ndikimit dhe konsultimet publike. Kjo përbën një shkelje serioze të legjislacionit për mbrojtjen e natyrës dhe të angazhimeve që Shqipëria ka marrë në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE.

Shqipëria nuk ka respektuar procedurat

Peizazhi i Mbrojtur Vjosë–Nartë është tashmë sit kandidat i rrjetit Emerald në kuadër të Konventës së Bernës dhe konsiderohet pjesë e ardhshme e rrjetit Natura 2000 pas anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. “Për këtë arsye, çdo ndryshim në gjendjen e tij duhet t’u nënshtrohet procedurave të posaçme që fatkeqësisht, Shqipëria nuk i ka respektuar,” – thotë Spangenberg.

EuroNatur: Shqipëria nuk ka respektuar procedurat
Spangenberg: Projekti i planifikuar në zonën Pishë Poro–Nartë bie në kundërshtim të drejtpërdrejtë me detyrimet ligjore dhe me vetë qëllimin për të cilin ekzistojnë zonat e mbrojtura.Fotografi: Florion Goga/REUTERS

Sitet Natura 2000 dhe Emerald i nënshtrohen një regjimi të rreptë mbrojtjeje, që kërkon parandalimin e degradimit të habitateve natyrore dhe habitateve të specieve, si dhe kryerjen e vlerësimeve të plota të ndikimit për çdo projekt që mund të prekë biodiversitetin.

“Kur ka një plan projekt në këto zona, autoritetet kombëtare dhe zhvilluesit e duhet të ndjekin një procedurë të posaçme përpara miratimit të tij. Kjo procedurë përfshin, ndër të tjera, kryerjen e vlerësimeve të plota dhe të përshtatshme të ndikimit mbi mjedisin dhe biodiversitetin. Sipas njohurive tona, një proces i tillë nuk është ndjekur aktualisht në rastin e Nartës.” – thotë Spangenberg.

Organizatat ndërkombëtare mjedisore dhe projekti i Zvërnecit

EuroNatur vazhdon të jetë e angazhuar për të siguruar që Pishë Poro–Narta dhe zonat e tjera të mbrojtura në Shqipëri të ruajnë nivelin e mbrojtjes që meritojnë dhe që kuadri ligjor të zbatohet në mënyrë efektive.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë ngushtësisht me partnerët tanë në Shqipëri, duke mbështetur dialogun publik, pjesëmarrjen e qytetarëve dhe përfshirjen e aktorëve të ndryshëm në proceset e hartimit të politikave dhe të ruajtjes së natyrës në nivel kombëtar.

Gjithashtu, do të vazhdojmë të ofrojmë ekspertizë dhe mbështetje për harmonizimin e legjislacionit dhe praktikave me standardet e Bashkimit Evropian, me qëllim mbrojtjen afatgjatë të trashëgimisë natyrore të vendit.” – thotë Spangenberg.

EuroNatur: Shqipëria nuk ka respektuar procedurat
Ligjin për Investimet Strategjike u krijon mundësi investitorëve të shmangin ose të përshpejtojnë disa procedura administrative dhe mekanizma kontrolli, përfshirë ato që lidhen me mbrojtjen e mjedisit.Fotografi: Florion Goga/REUTERS

Ndryshimet në Ligjin për Zonat e Mbrojtura

Shqipëria ka ndryshuar legjislacionin për të lejuar investime strategjike turistike në zonat e mbrojtura. Nga këndvështrimi i ruajtjes së natyrës zhvillimi më i fundit dhe më shqetësues lidhet me ndryshimet në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, duke lejuar përdorimin e makinerive të rënda dhe ndërtimin e resorteve turistike luksoze brenda zonave të mbrojtura. “Këto ndryshime kanë dobësuar ndjeshëm funksionin mbrojtës të ligjit, duke e bërë atë praktikisht të paaftë për të përmbushur qëllimin për të cilin është hartuar.” – thotë Spangenberg.

Një tjetër çështje problematike lidhet sipas Spangenberg me Ligjin për Investimet Strategjike, i cili u krijon mundësi investitorëve të shmangin ose të përshpejtojnë disa procedura administrative dhe mekanizma kontrolli, përfshirë ato që lidhen me mbrojtjen e mjedisit. “Ajo që duhet pasur parasysh është se ajo që po ndodh sot në Nartë mund të ndodhë nesër në çdo zonë tjetër të mbrojtur në Shqipëri. Prandaj, nuk bëhet fjalë vetëm për një problem lokal, por për një çështje më të gjerë që lidhet me dobësimin e kuadrit ligjor të krijuar për mbrojtjen e këtyre territoreve.” – thotë Spangenberg.

A mund të bashkëjetojnë zhvillimi ekonomik dhe mbrojtja e natyrës?

Mbështetësit e projektit argumentojnë se zhvillimi ekonomik dhe mbrojtja e natyrës mund të bashkëjetojnë. Po cilat kushte duhet të plotësohen që një ekuilibër i tillë të jetë i besueshëm në Pishë Poro–Nartë?

“Pishë Poro–Narta është një nga shumë zonat e mbrojtura në Shqipëri që janë shpallur mbi të gjitha për të mbrojtur natyrën dhe speciet që jetojnë në to. Çdo zhvillim që propozohet në këto territore duhet të respektojë këtë parim themelor. Projekti i planifikuar për këtë zonë bie në kundërshtim të drejtpërdrejtë me detyrimet ligjore dhe me vetë qëllimin për të cilin ekzistojnë zonat e mbrojtura.” – thotë Spangenberg.

Zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm nënkupton marrjen në konsideratë të interesave të komuniteteve lokale që preken nga projekti, analizimin e qartë të përfitimeve dhe kostove, shqyrtimin e alternativave të mundshme, mbrojtjen e natyrës dhe integrimin e projektit në një vizion strategjik e afatgjatë për territorin.

Sipas Spangenberg “në rastin e këtij projekti, sipas vlerësimit tonë, asnjë nga këto elemente nuk është demonstruar në mënyrë bindëse.”/DW

EMISIONET