Reforma Zgjedhore, "Venecia" e shqetësuar lidhur me financimin indirekt dhe të fshehtë të partive politike
Komisioni i Venecias dhe Drejtoria e Përgjithshme për të Drejtat e Njeriut dhe Shtetin e së Drejtës (DGI) kanë vlerësuar pozitivisht projektligjin “Për Financimin e Partive Politike”, i cili u dërgua për shqyrtim nga Kuvendi i Shqipërisë.
Në opinionin e tyre, ekspertët ndërkombëtarë përshëndesin faktin që projektligji është hartuar përmes një procesi gjithëpërfshirës, me pjesëmarrjen e mazhorancës, opozitës dhe shoqërisë civile, si dhe paraqet një përmirësim të dukshëm krahasuar me legjislacionin aktual.
Sipas Komisionit të Venecias, projektligji synon të rrisë transparencën, llogaridhënien dhe integritetin në financimin e partive politike. Ndër elementet pozitive përmenden raportimi më i detajuar financiar, përdorimi i platformave elektronike, forcimi i mekanizmave të kontrollit dhe auditimit, rregullimi më i qartë i burimeve të ndaluara të financimit dhe krijimi i një strukture të posaçme brenda Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se projektligji ka nevojë për përmirësime të mëtejshme për të adresuar boshllëqet dhe dobësitë e evidentuara ndër vite. Ata vlerësojnë se dispozitat duhet të jenë më të qarta dhe më të detajuara, ndërsa rregullat teknike të lihen në aktet nënligjore.
Një nga shqetësimet kryesore lidhet me financimin indirekt dhe të fshehtë të partive politike përmes organizatave të lidhura me to, palëve të treta, platformave digjitale, agjencive të komunikimit, shërbimeve në natyrë apo përdorimit të burimeve publike.
Komisioni i Venecias rekomandon gjithashtu harmonizimin e rregullave për financimin e partive me ato të financimit të fushatave zgjedhore, forcimin e kompetencave dhe pavarësisë së KQZ-së në mbikëqyrjen e financimeve politike, si dhe rishikimin e sistemit të sanksioneve për shkeljet e ligjit.
Sipas opinionit, reformat e ardhshme në Kodin Zgjedhor duhet të mbyllin çdo boshllëk të mbetur dhe të sigurojnë një kuadër të plotë e të qëndrueshëm për financimin politik në Shqipëri.
Komisioni i Venecias dhe DGI dëshirojnë të paraqesin rekomandimet kryesore të mëposhtme:
A. Të sigurohet që rregullat për financimin e rregullt të partive politike dhe financimin e fushatave zgjedhore të harmonizohen dhe të mos bien në kundërshtim me njëra-tjetrën [paragrafët 105-106].
B. Të parashikohen rregullime më të sakta dhe më të detajuara në Projektligj, duke lënë vetëm detajet teknike për aktet nënligjore, si dhe të sigurohet që rregullat zbatuese të miratuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Këshilli i Ministrave të bazohen në kritere mjaftueshëm të sakta, objektive dhe të parashikueshme [paragrafët 31, 53-54, 62, 65, 70, 84, 89, 91-92, 101-103].
C. Të rregullohen në mënyrë më gjithëpërfshirëse financimi i fshehtë dhe financimi indirekt nga palë të treta, si dhe nga entitete të lidhura ose të kontrolluara nga partitë politike [paragrafët 31-34].
D. Të përcaktohet qartë në ligj se raportet financiare të partive politike duhet të përfshijnë, në mënyrë të detajuar, të gjitha burimet e të ardhurave, shpenzimet, asetet, detyrimet, kreditë, borxhet, garancitë, kontributet në natyrë, shërbimet e ofruara nën vlerën e tregut, transaksionet me entitete të lidhura, mbështetjen publike në natyrë, shpenzimet për median dhe komunikimin dixhital, si dhe grantet për gratë dhe të rinjtë; gjithashtu të shqyrtohet mundësia e raportimeve më të shpeshta, veçanërisht në vitet zgjedhore [paragrafët 70, 74].
E. Të forcohet mbikëqyrja e financimit të partive politike, përfshirë krijimin e mekanizmave të përcaktuar qartë për bashkëpunimin ndërmjet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe institucioneve të tjera shtetërore, si dhe të sigurohet që Komisioni të ketë mandat të qartë, autoritet dhe burime të mjaftueshme për të mbikëqyrur në mënyrë efektive dhe proaktive financimin e partive politike dhe për të hetuar shkeljet e dyshuara të rregullave të financimit politik. Gjithashtu, të rregullohet më në detaje “struktura përgjegjëse për financimin, monitorimin dhe kontrollin e financimit të partive politike”, e cila parashikohet të krijohet pranë KQZ-së, duke përfshirë garancitë për pavarësinë e saj, si dhe të forcohet pavarësia e ekspertëve kontabël të ngarkuar me auditimin e raporteve financiare të partive [paragrafët 80, 82, 89].
F. Të rishikohen dispozitat ndëshkuese për të siguruar që sanksionet të zbatohen për shkeljen e të gjitha detyrimeve dhe ndalimeve të parashikuara në Projektligj; të parashikohet një gamë më e gjerë sanksionesh për të garantuar që ato të jenë efektive, proporcionale dhe parandaluese; të shqyrtohet rritja e kufijve të disa gjobave administrative; ndërsa për masën e ndalimit të një partie për të marrë pjesë në zgjedhje në rast të shkeljeve të caktuara të ligjit, të sqarohet se ky mekanizëm zbatohet vetëm në raste të rënda, si masë e fundit, pas njoftimit, mundësisë për korrigjim dhe shqyrtimit efektiv gjyqësor [paragrafët 78, 95-97].
113. Rekomandime të tjera përfshihen në Opinion.
114. Komisioni i Venecias dhe DGI mbeten në dispozicion të autoriteteve shqiptare për asistencë të mëtejshme lidhur me këtë çështje.


