Angelina Jolie: Ndihem e kufizuar në Hollywood, dua të largohem nga Los Angeles-i!

Aktorja e njohur Angelina Jolie, ka bërë disa deklarata të sinqerta për jetën dhe karrierën e saj, duke pranuar se ndihet e kufizuar në Hollywood dhe se do të dëshironte të largohej nga Los Angelesi, por nuk mund ta bëjë këtë për arsye financiare. Në një intervistë për Wall Street Journal Magazine, ylli i filmave të shumtë rrëfeu se, po t’i duhej ta niste sot karrierën nga e para, ndoshta nuk do të zgjidhte rrugën e aktrimit.
Jolie tha se, megjithëse do të dëshironte të hiqte dorë nga aktrimi, nuk e ka këtë mundësi nëse dëshiron të vazhdojë të jetojë sipas standardit të jetesës që ka ndërtuar ndër vite.
Sipas saj, puna si aktore vazhdon të jetë burimi kryesor që i siguron të ardhurat e nevojshme për të mbështetur familjen dhe stilin e saj të jetës. Aktorja fituese e çmimit Oscar foli gjithashtu për dëshirën e saj të madhe për t’u larguar nga Los Angelesi, të cilin e përshkroi si një vend “sipërfaqësor”. Ajo zbuloi se shpreson që në të ardhmen të kalojë më shumë kohë në shtëpinë e saj në Kamboxhia dhe një ditë të zhvendoset atje.
“Kjo lidhet me atë që ndodhi pas divorcit tim. E humba mundësinë për të jetuar dhe udhëtuar lirshëm”, u shpreh Jolie, duke iu referuar betejës së gjatë ligjore me ish-bashkëshortin e saj, Brad Pitt. Ajo shtoi se do të largohet nga Los Angelesi sapo t’i krijohet mundësia.
Në rrëfimin e saj, Jolie pranoi se vitet e fundit kanë qenë emocionalisht të vështira dhe se nuk ka pothuajse fare jetë sociale. “Nuk kam ndonjë jetë të mirëfilltë sociale”, tha ajo. Aktorja vuri theks të veçantë te roli i nënës, duke treguar se lindja e fëmijëve ndryshoi tërësisht mënyrën se si e shihte jetën.
“U bëra nënë në moshën 26-vjeçare. E gjithë jeta ime ndryshoi. Fëmijët më shpëtuan dhe më mësuan ta jetoj këtë botë në një mënyrë krejt tjetër”, u shpreh ajo. Jolie zbuloi gjithashtu se prej rreth dhjetë vitesh nuk ndihet plotësisht vetvetja. “Mendoj se kohët e fundit do të kisha rënë në një gjendje shumë më të errët po të mos ishte dëshira ime për të jetuar për fëmijët e mi”, tha aktorja.

