Dukagjini, perla shqiptare pa rrugë. Banorët: Ndihemi të harruar prej 33 vitesh! Shteti të marrë masa për investime!

Zona e Dukagjinit në veri të vendit është një ndër perlat e rralla të vendit tonë por edhe Ballkanit. E rrethuar me Alpe ajo ka mundësinë të zhvillojë turizmin gjatë gjithë vitit. Por pengesë mbetet rruga. Për të shkuar atje zona është mjaft e thellë dhe infrastruktura, pothuajse nuk ekziston!

Të udhëtosh drejt krahinës së Dukagjinit, një prej perlave të Alpeve shqiptare, sot është një sfidë më vete.

Rruga për në këto zona malore ka vetëm emrin të tillë, pasi përgjatë të gjithë kilometrave të saj ajo është një kërcënim serioz për jetën e çdo udhëtari.

“Rruga që përshkon 24 fshatrat që ka Dukagjini është shumë e dobët, jashtë çdo kushti për të udhëtuar njerëzit. Kjo rrugë nuk bllokohet as gjatë dimrit, por as gjatë verës nuk mund të lëvizë asnjë automjet tjetër përveç fuoristradave”, thotë një banor i zonës.

“Kjo zonë është e harruar prej 32 vitesh”, thotë një tjetër banor.

Janë të bekuar nga natyra, por të mallkuar nga pushtetet e njëpasnjëshme që në këto 33 vite për këtë zonë nuk kanë investuar qoftë edhe një qindarkë.

Pa rrugë, me rrjet elektrik të amortizuar dhe me mungesa shërbimesh, në masë banorët e Dukagjinit janë detyruar të braktisin vendlindjen për një jetë më të mirë.

Tom Marku, administrator i Pultit: “I lutemi shtetit që të vërë dorë në këtë zonë, në këtë mrekulli që na kanë lënë të parët tanë”.

Do të duhej të ishte i mbushur me vizitorë, por fatkeqësisht Dukagjini më së shumti njihet në kronikat televizive për aksionet antikanabis.

“Kjo do vëmendje nga shteti që të shpallet në radhë të parë monument kulture. Në radhë të dytë, të eksplorohet nga njerëz janë dhe munden t’i japin përparësi këtij vendi që është unik”, thotë një banor.

Në Pult banorët në këtë periudhë të vitit rikthehen në tokat e të parëve për të punuar tokat, por me synimin për të mbajtur gjallë traditat e promovuar vlerat e zonës.

Një prej tyre është edhe kalaja e Pjetër Spanit, pinjoll i familjes feudale të Spanëve, bashkëkohës i Skënderbeut.

Me financat e tyre banorët kanë ndërtuar rrugën që të drejton në këtë kala.

bepin kolvataj dukagjini

EMISIONET