Vrasja e Ardian Nikulajt/ Shqipëria nuk bind Anglinë, refuzohet arrestimi i një prej të akuzuarve
Një nga personat e shpallur në kërkim nga Shqipëria lidhur me vrasjen e Ardian Nikulajt, Gjykata Angleze refuzon ta arrestojë.
Burime nga grupi hetimor, konfirmojnë se shtetasi Harry Simpson, është lokalizuar në Britaninë e Madhe dhe është kërkuar vendosja e tij në pranga, por gjykata ka refuzuar të firmosë urdhër-arrestin, me arsyetimin se nuk krijohet bindja e arsyeshme që të ketë patur rol në ekzekutim.
Këtë të premte, katërshja e arrestuar, dolën para gjykatës së specializuar për ekstradimet me disa kërkesa. Përkatësisht Edmond Haxhia, Steven Hunt dhe Thomas Mithan dhe Harriet Bridgeman kërkojnë liri me kusht kundrejt bllokimit të pasaportës, monitorimit elektronik, paraqitjes çdo javë në një stacion policie dhe garancive pasurore.
Por nga ana tjetër, organi i akuzës në Britaninë e Madhe kërkon të mos pranohen kërkesat e këtyre shtetasve, duke insistuar në ekstradimin e tyre për tu përballur me drejtësinë shqiptare.
Nga ana e gjykatës londineze, nuk ka ende informacion mbi vendimmarrjen e saj për këtë çështje. Për ngjarjen e mesditës së 19 prillit në resortin "Koral", mbetet në kërkim Ruben Saraiva, shtetasi portugez që për autoritetet shqiptare, është ekzekutori i Nikulajt.
Për të ka dyshime se vijon të jetë në Greqi pasi nuk ka asnjë dalje jashtë shtetit fqinj të regjistruar në sistemin e pikave doganore me ndonjë shtet tjetër.