Në pyetje për Ahmetajn, Prokuroria merr dëshmitë për ndërtimin e vilave dhe miratimin e incineratorit

Prokuroria e Posaçme ka vijuar me mbledhjen e provave mbi ndërtimin e dy vilave që dyshohet se i kanë ish-bashkëshortja dhe bashkëjetuesja e Arben Ahmetajt. Po ashtu, të dhënat vijojnë të mblidhen edhe mbi dyshimet e korrupsionit dhe mënyrës së miratimit të incineratorëve

Hetimet për ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj nuk kanë ndaluar, edhe pse ish-zyrtari i lartë i Qeverisë ka kërkuar pavlefshmërinë e kontrolleve në banesat e bashkëjetueses dhe ish-bashkëshortes së tij.

Burimet kanë bërë të ditur se procesi ka vijuar me mbledhjen e provave që kanë të bëjnë me miratimin e koncesionit të incineratorëve apo dhe lidhjeve që mund të sjellin akuzë për korrupsion ndaj ish-numrit dy të Qeverisë.

Mësohet po ashtu se në pyetje janë marrë edhe personat që kanë dijeni mbi situata të ndryshme që kanë të bëjnë me aferën e incineratorëve e po ashtu dëshmitë u janë kërkuar edhe të afërmve të deputetit socialist.

Në këtë rast mësohet se në pyetje janë marrë personazhe të medias por pa dhënë detaje mbi çështjet e shtruara duke u konsideruar ende një secret hetimor. Të dhëna janë kërkuar edhe mbi ndërtimin e dy vilave në Hamallaj dhe Palasë.

Megjithatë ende nuk ka një konkluzion mbi këtë dosje hetimore të shumëpërfolur në media por që ka sjellë dhe debate të forta politike.

Megjithatë edhe tentativat e Ahmetajt për t’i konsideruar të pavlefshme provat e mbledhura nga kontrollet në banesa janë rrëzuar, si në gjykatën e shkallës së parë e po ashtu edhe në apel

EMISIONET