Balluku: 1 mijë km rrugë të ndërtuara dhe 40 kantiere në zhvillim! Bajpasi i Elbasanit 250 mln euro, i japim Sarandës bajpas për hyrjen në qytet

Zëvendëskryeministrja, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe njëherësh drejtuesja politike e Partisë Socialiste në qarkun e Fierit, Belinda Balluku deklaroi sot se qeveria shqiptare ka bërë një transformim radikal në infrastrukturën rrugore, ku tashmë janë 1 mijë km rrugë të ndërtuara ose të rehabilituara në këtë 12-vjeçar.

Në fjalën e saj në aktivitetin “Infrastruktura, arritjet dhe Sfidat për Shqipërinë 2030″, ku është i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama, Balluku tha se “dy mandatet e fundit kanë qenë shumë të rëndësishëm për zhvillimin e infrastrukturës”.

“Në mandatin e parë Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë i përkiste aleatit dhe shumë punë nuk janë bërë për të thënë të drejtën, por në mandatin e dytë kur ne fillojmë, PS dhe punojmë me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoritetin Rrugor Shqiptar dhe gjithë komponentët e tjerë që kontribuojnë në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore gjithçka ndryshon. Fillimisht adresuam ato që ishim më emergjente, më jetike, filluam të çonim përpara rrugë të lëna rrugëve ashtu siç e kemi thënë gjithmonë dhe për më tepër ato projekte që kishin më shumë se 10 vite që mbaheshin varur nëpër dollape, nëpër sirtare të bëra pa studim, të tenderuara pa buxhet dhe për më tepër pa asnjë lloj plani zhvillimi teknik sesi do të ndodhte”, nënvizoi Balluku.

Balluku u shpreh se “u adresuan në mënyrën më të mirë duke nisur nga bajpasi i Ferit, apo bajpasi i Vlorës, rrugë të tjera që kishin ngelur pa përfunduar. Ndërkohë në 5-vjeçarin e fundit ne vazhduam të ndërtojmë rrugë të reja duke arritur që tashmë të kemi 1 mijë km rrugë të ndërtuara në këtë 12-vjeçar ose të rehabilituara”.

Por, vijoi Balluku, nga ana tjetër ajo çfarë sot duhet të thuhet është që në mandatin e dytë në 5-vjeçarin që po lëmë pas cilësia ka qenë pjesa më e rëndësishme për çfarë ne kemi bërë.

Balluku vuri në dukje se sot ka 40 kantiere të hapura në të gjithë vendin.

“Këto kantiere nuk kanë të bëjnë as me rrugë të thjeshta dhe as me rehabilitime, kantiere që kanë të bëjnë me ndërtimin e korridoreve të reja, pasi në infrastrukturën rrugore kemi bërë transformim radikal. Duke e matur punën tonë jo thjesht nga ana sasiore, por nga ajo cilësore duke ndërtuar akse rrugore me parametra dhe kritere evropiane për të qenë të gatshëm dhe për të qenë pjesë e korridoreve që tashmë ne e kemi fituar këtë legjitimitet edhe në BE duke qenë se në vendin tonë ndërtohen dy nga korridoret më të rëndësishme Korridori 8 dhe Korridori Blu, ose Korridori Adriatiko – Jonian”, tha Balluku.

Balluku theksoi se “këto 40 kantiere përfshijnë vepra arti, të cilat ndoshta studentët e Fakultetit të Ndërtimit apo të Arkitekturës mund t’i përdornin edhe si site për t’i vizituar dhe për t’i kthyer në orë mësimore. I referohem tunelit të Murrizit, rrugës Thumanë-Kashar apo atyre akseve që kanë pasur komplikimet e tyre gjeologjike apo zgjidhjet teknike, por që sot janë dorëzuar dhe janë funksionale me sukses”.

Balluku: 1 mijë km rrugë të ndërtuara dhe 40 kantiere

Korridori 8 është më i rëndësishmi për rajonin e Ballkanit dhe ka si qëllim ndërlidhjen midis Italisë, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.

Kështu deklaroi sot zëvendëskryeministrja, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe njëherësh drejtuesja politike e Partisë Socialiste në qarkun e Fierit, Belinda Balluku në aktivitetin “Infrastruktura, arritjet dhe Sfidat për Shqipërinë 2030″, ku është i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama.

Balluku theksoi se “ky korridor është i rëndësishëm për infrastrukturën hekurudhore, energjetike, të linjave të transmetimit, por mbi të gjitha më i rëndësishmi, ai i sigurisë i përdorur nga forcat e aleancës euroatlantike, të cilat përbëjnë tashmë një komponent shumë të rëndësishëm dhe është zhdukur e gjithë rëndësia e këtij korridori të përdorur nga forcat e NATO-s gjatë 2022 në kohën kur agresioni rus nisi ndaj Ukrainës”.

“Ky korridor nuk ka vetëm këtë rëndësinë e infrastrukturës rrugore dhe të gjithë mbështetjen ekonomike që do t’i japë zonave që përshkon apo lidhjes rajonale, por krijon edhe një ndërlidhje me një nga planet më agresive dhe ambicioze që Shqipëria ka për ndërtimin e një baze militare në zonën e Porto Romanos në të njëjtat ambiente dhe zonë me portin komercial të Porto Romanos, ndërtimin e një baze të NATO-s”, theksoi Balluku.

Zv/kryeministrja Balluku u shpreh se “Lekaj –Elbasan është pjesa e parë e këtij korridori, e cila ndërtohet në këto momente e ndarë në dy faza”.

“Jemi duke ndërtuar fazën e parë prej 19 km për shkak të gjeologjisë shumë të mirë duke qenë se e gjithë kjo rrugë shtrihet në luginën e Shkumbinit dhe gjeologjia na ka favorizuar në këtë rast. Të gjitha kantieret që përshkojnë këtë segement janë në funksion të plotë, ecet me qëndrueshmëri pa problematika dhe nuk kemi probleme të parashikueshme”, shtoi zv.kryeministrja.

Këto kantiere, vijoi Balluku, parashikohet të dorëzohen në pranverën e 2026 duke krijuar bllokun e parë të 19 km, të cilat do të lidhin Elbasanin me me nyjen e Rrogozhinës.

“Parametrat këtu janë të një autostrade të kategorisë A me 130 km në orë dhe nga ana tjetër duhet thënë që do të lidhet me bajpasin e Elbasanit, një nga veprat infrastrukturore më të rëndësishme jo vetëm për infrastrukturën e përgjithshme, për inventarin e ARRSH-së, por edhe për zhvillimin e një zone shumë të rëndësishme si Elbasani”, tha Balluku.

Balluku tha se po punohet në segmentin nga Elbasani deri në daljen në Bushtricë. Sipas saj, është bërë një punë e përbashkët me autoritetin rrugor të Maqedonisë së Veriut dhe është gjetur pika më e afërt për të bërë daljen më të re.

“Këtu nuk do të preket dalja nga Qafë Thana, do të vazhdojë të jetë një pikë kufitare ku pika e re e Bushtricës ofron një dalje me një shpejtësi më të madhe që do të arrihet me një tunel 6 km që ndahet mes dy vendeve dhe bën më të lehtë lëvizjen e automjeteve të tonazhit të rëndë duke pasur parasysh që ne duam të lidhin portin e ri të Durrësit me Maqedoninë e Veriut dhe deri në portin e Varnës në Bullgari”, tha Balluku.

Balluku bëri të ditur se “këtë verë përfundon dhe një nga kalvaret më të gjata të infrastrukturës Qukës-Qafë Plloçë, e cila është një rrugë e ndërtuar në lartësi të Gurrës dhe Oparit me problematika të mëdha në ndërtim dhe në mënyrën e projektimit të asaj kohe”.

“Por që brenda verës së këtij viti do të jetë e dorëzuar dhe ata që aksesojnë drejt Korçës do të kenë mundësi që ta aksesojnë direkt duke lënë mënjanë pra të gjitha kthesat që çojnë në Korçë përmes Qafë Plloçës duke dhënë kështu edhe një ndarje të trafikut, të rënduar shpeshherë në drejtim të daljes së pikës kufitare për në RMV dhe duke e çuar trafikun direkt për në Korçë”, tha Balluku.

Duke folur për bajpasin e Elbasanit, Balluku u shpreh se punimet po vijojnë dhe pritet të kushtojë 250 milionë euro.

“Bajpasi i Elbasanit ka proces të detajuar. Parashikohet të ketë kosto 250 milionë euro, është nyja më e rëndësishme e Korridorit VIII. Rruga Kardhiq-Delvinë, 44 kilometra. Është vazhduar edhe me rrugën që çon deri në Delvinë. Akse të tjera të dorëzuara, aksi Orikum-Dukat, në funksion që nga vera e kaluar. Tuneli i Llogorasë, tashmë totalisht i përfunduar me të gjithë komponentët e tij, 7 mijë automjete në ditë dhe në fundjavë, 14 automjete në ditë. Kemi nisur nga puna, ta zgjidhim duke krijuar një hyrje të re për Sarandën përmes bajpasit, jemi në fazë të miratimit të zbatimit të projektit. Bypassi i Sarandës do jetë 3.1 kilometra i gjatë”, tha Balluku.

EMISIONET