ALARMI I EKSPERTIT/ Sulaj: Ushqimi ynë në rrezik, inspektorët rekrutohen jashtë profesionit! Sistemi i sigurisë ushqimore shumë larg standardeve të BE-së

Siguria ushqimore në Shqipëri mbetet një sfidë kritike, veçanërisht në kuadër të rrugëtimit drejt Bashkimit Evropian. Sipas Dekanit të Universiteti Bujqësor, Kapllan Sulaj, problemi nuk qëndron te mungesa e njerëzve, por te dështimi për të përzgjedhur ekspertët e duhur dhe për t'i vendosur ata në pozicionet e duhura.

Në analizën e tij të situatës në studion e emisionit “Epiqendër” në “Ora News”, Sula theksoi se sistemi shqiptar i sigurisë ushqimore është ende i pakonsoliduar dhe në zhvillim, larg përmbushjes së standardeve të kërkuara nga BE.

Edhe pse vendi ka ekspertë, sistemi vuan nga një problem thelbësor në nivelin e inspektimeve.

Sipas tij, një ndër gabimet më të mëdha të bëra ndër vite ka qenë rekrutimi i inspektorëve jashtë fushës së tyre profesionale.

Kjo praktikë, tha ai, ka krijuar një trupë inspektuese me mangësi në kualifikimet e nevojshme për të kryer kontrolle efikase.

Një tjetër pikë nevralgjike është mungesa e trajnimeve të vazhdueshme nga ana e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU).

Sula argumenton se AKU nuk ka arritur të ndërtojë plane afatgjata kualifikimi për stafin e vet, çka do të garantonte përditësimin e dijeve dhe përshtatjen me standardet në ndryshim.

Kjo mungesë e një strategjie të qartë për zhvillimin profesional ka çuar në stanjacion.

Ai ia atribuon këtë situatë neglizhencës politike dhe menaxheriale që ka karakterizuar drejtimin e AKU-së përgjatë viteve. Kjo qasje ka minuar aftësinë e institucionit për të garantuar sigurinë në zinxhirin ushqimor.

Këto probleme marrin një rëndësi edhe më të madhe duke pasur parasysh ambicien e Shqipërisë për anëtarësim në BE rreth vitit 2030.

Siguria ushqimore, që përfshihet në Kapitullin 12 të negociatave, konsiderohet një nga "pikat më të nxehta" dhe një hallkë thelbësore në procesin e integrimit. Dështimi për të adresuar këto mangësi sistemike rrezikon seriozisht jo vetëm shëndetin e konsumatorëve, por edhe të ardhmen evropiane të vendit.

Dekani i Universiteti Bujqësor, Kapllan Sulaj: “Unë dua të them që asnjëherë këtij vendi nuk i ka munguar njerëzit. Por ajo që është i ka munguar, zgjedhja e ekspertëve dhe gjetja e njerëzve në vendin e duhur.

Pavarësisht se problemi është mjaft delikat dhe sistemi i sigurisë ushqimore në vendin tonë konsiderohet një nga sistemet që është në zhvillim, akoma i pakonsoliduar, se akoma nuk ka përmbushur standardet që kërkon Bashkimi Europian.

Patjetër që ka ekspertë. Shoqëria shqiptare dhe jo vetëm institucionet, por shoqëria shqiptare, universitetet dhe të gjithë të gjithë aktorët dhe faktorët që janë pjesë e sistemit të sigurisë ushqimore, kanë ekspertë të sigurisë ushqimore, patjetër, por niveli i dijeve pastaj ndryshon, kjo në bazë të përvojës, në bazë të shkallës së kualifikimit.

Dhe sistemi i sigurisë ushqimore vuan më shumë në sistemin bazë, atje ku është sistemi bazë i inspektimeve. Sepse nuk është vetëm çështje politike, por është bërë, gabimi që është bërë në kohë për rekrutimin e inspektorëve, ka ndodhur që brenda trupës së inspektuesve të ketë persona të cilët janë, rekrutuar jashtë profesionit të tyre.

Mund të ndodhë dhe kjo, por ata duhet të marrin kualifikimin në vazhdimësi për të arritur një nivel të caktuar që të jenë të aftë të kryejnë inspektime dhe kontrolle zyrtare në operatorët e biznesit ushqimor apo në rrjetin dhe zinxhirin e prodhimit të ushqimeve.

Ajo që kam vërë re unë është që Autoriteti Kombëtar i Ushqimit nuk arrin që të kryejë kualifikime të vazhdueshme. Kjo do të thotë që ka kualifikime, ka shpeshherë mbështetje me ë me atë, kurse trajnimi, por nuk ka kualifikime, plane, plane kualifikimesh njëvjeçare dhe afatgjatë të cilat të garantojë që trupa inspektuese e AKU-së dhe i gjithë sistemi i sigurisë ushqimore në vendin tonë të jetë nën, nën efektin e akumulimit dhe të dijeve në progres.

Gjë që nuk ndodh për shkak sepse edhe ata që kanë drejtuar AKU-në, por edhe politika që është ndjekur për të kualifikuar stafin, ka qenë një politikë e cila ka, ka neglizhuar në këtë drejtim.

Ne jemi para një fakti kur mendohemi që të jemi në Bashkimin Evropian rreth viteve 2030 dhe madje një nga problemet më të nxehta të procesit të integrimit është dhe procesi, ose kapitulli 12 dhe procesi i integrimit në fushën e sigurisë ushqimore. Ky mbetet një nga hallkat e rëndësishme”.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “EPIQENDËR” NË “ORA NEWS”

EMISIONET