Lajm i trishtë nga Turqia, koronavirusi i merr jetën ish-deputetit të PS-së, Marko Bello
Beteja me koronavirusin ka qenë fatale për ish-ministrin dhe ish-deputetin socialist Marko Bello. Ai është ndarë nga jeta në moshën 59 vjeçare, në një spital në Turqi, ku kishte shkuar për trajtim më të specializuar. Drejtues të së majtës, por edhe opozitës e vlerësuan figurën e tij si politikan me principe dhe të prirur drejt bashkëpunimit për interesat e vendit.
Covid-19 i ka marrë jetën ish-deputetit socialist Marko Bello. Ai nuk arriti ta fitonte betejën më këtë virus pavarësisht se po merrte kurim të specializuar në shtetin turk prej shumë ditësh.
Për ndarjen nga jeta të 59-vjeçarit ka reaguar me dhimbje ish-kryetari i kuvendit Namik Dokle.
Me anë të një postimi, Dokle e ka cilësuar facebookun si një varrezë, nga i cili mori edhe lajmin për vdekjen e mikut të tij nga covidcolera, siç ai e cilëson këtë pandemi.
Ikje të parakohshme e ka cilësuar Presidentit i Republikës Ilir Meta vdekjen e bashkëpunëtorit dhe kolegut të tij.
Kreu i Shtetit ngushëllon familjen e Bellos për këtë humbje që tronditi të gjithë.
Me dhimbje të thellë janë shprehur edhe kryeparlamentari Gramoz Ruçi e sekretari i Përgjithshëm i PS-së Taulant Balla për humbjen e Marko Bellos, duke e cilësuar një zë të fuqishëm të qytetarëve.
Marko Bello do të kujtohet si një qytetar dhe politikan i principtë dhe i moderuar, i prirur drejt bashkëpunimit për hir të interesave të vendit, shkruan kryetari i PD-së, Lulzim Basha.
Marko Bello ka qenë deputet i PS për tre mandate, si dhe ka mbajtur postin e ministrit për Integrimin Evropian dhe ministër Shteti për Koordinimin Qeveritar si dhe zv.ministër i Mbrojtjes.
Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Marko Bello, ishte pjesë e grupit të deputetëve, të cilët kërkuan largimin e Edi Ramës pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2009.
Në periudhën 1997-2000, Marko Bello ka shërbyer edhe si ambasador i Shqipërisë në Rumani.
LEXO EDHE:
Mediu për Marko Bellon: Politikan pa komplekse, Ministër dhe deputet mendjehapur dhe i ndershëm
Premtimet elektorale/ Lela: Fajin e ka Saliu, Rama: Që Saliu ka faje…
