Udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor ranë dakord gjatë Samitit të Sofjes që të formojnë tregtuan e përbashkët rajonal mbi bazën e rregullave dhe standardeve të BE-së. Për kancelaren gjermane Angela Merkel që është mbështetëse kryesore e Procesit të Berlinit, ky hap është kilometrik.

Gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor të përfshira në të ashtuquajturin Proces i Berlinit, nënshkruan të martën deklaratën e Planit të Veprimit për formimin e Tregut të Përbashkët Rajonal dhe Axhendën e Gjelbër.

Ballkani Perëndimor përbën një treg prej 20 milionë konsumatorësh dhe Bashkimi Europian synon të nxisë së pari bashkëpunimin rajonal ekonomik përpara integrimit të plotë në Bashkimin Europian.

Sipas një deklarate të përbashkët, udhëheqësit e rajonit, ranë dakord të thellojnë bashkëpunimin ekonomik duke zhvilluar një treg të përbashkët rajonal bazuar në rregullat dhe standardet e Bashkimit Europian.

“Një treg i integruar është më konkurrues në skenën europiane dhe globale dhe më tërheqës për investuesit e thuaj,” tha Emir Djikic nga sekretariati i Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Europës Qendrore.

Kancelarja gjermane Angela Merkel mori pjesë në këtë samit nëpërmjet vidoekonferencës. Ajo i përgëzoi kolegët e saj nga Ballkani Perëndimor për përparimet e arritura , në mënyrë të veçantë për miratimin e plan-veprimit për krijimin e tregut të përbashkët rajonal.

“Ky është një gur kilometrazhi i rëndësishëm dhe një mesazh inkurajues në adresë të ekonomive tona, sikurse edhe futja graduale e katër lirive, që do t’u japë një shtysë më të mirë popujve në rajon dhe kompanive tona,” tha kancelarja.  

I ftuar në Samitin e Sofjes ishte edhe presidenti francez Emmanuel Macron, por për shkak të takimeve të tjera në Paris kishte dërguar një video mesazh.

Organizatorët e takimit, kryeministri i Bullgarisë Bojko Borisov dhe ai i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, u përpoqën të lënin mënjanë mosmarrëveshjet historike të vendeve të tyre dhe e quajtën historik faktin që një vend kandidat dhe një vend anëtar i BE-së organizojnë bashkërisht një samit rajonal. 

Bullgaria aktualisht po pengon mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare të Maqedonisë së Veriut me BE-në.

Kancelarja Angela Merkel nuk u shpreh për këtë grindje, por tha se “shpreson që konferenca e parë ndërqeveritare të mbahet gjatë kryesisë gjermane të BE-së”.

Në takim nuk u tha asnjë fjalë për zhvillimin e konferencës për Shqipërinë dhe qeveria shqiptare nuk shpërndau asnjë informacion për Samitin e Sofjes.

‘Procesi i Berlinit’, do të vazhdojë me një samit vitin e ardhshëm në Berlin.

Ky proces është një nga projektet personale të kancelares gjermane Angela Merkel dhe është e paqartë sesi do të vazhdojë në të ardhmen pas largimit nga detyra të kancelares vitin e ardhshëm.

Kancelarja ju kërkoi kolegëve të saj para se të përfundonte deklaratën e saj virtuale: “Mos harroni, ju duhet të merreni vesh vetë me njëri-tjetrin”.

Ndërsa Borissov dhe Zaev, me duart lart, thanë: Bye bye, Angela.