Kushtetuesja shfuqizon vendimin për emrat e rrugëve, Osmani: Ditë e zezë për shqiptarët

Kushtetuesja shfuqizon vendimin për emrat e rrugëve, Osmani: Ditë

Gjykata Kushtetuese në Maqedoninë e Veriut ka shfuqizuar një vendim të Komunës së Tetovës, duke ndryshuar emrat e disa rrugëve që ishin vendosur që në vitin 2007, me vendim të Këshillit të Komunës së Tetovës. Vendimi është miratuar me 5 vota “pro”, ndërsa dy gjyqtarët shqiptarë dhe ai turk kanë votuar “kundër”.

Iniciativa për shqyrtimin e çështjes ishte dorëzuar nga Lidhja e Luftëtarëve nga Lufta Nacionalçlirimtare dhe Antifashiste e Maqedonisë 1941–1945, e cila argumentoi se ndryshimi i emërtimeve ishte bërë pa pëlqimin e Qeverisë, në kundërshtim me ligjin që rregullon emërtimin e rrugëve, shesheve dhe objekteve infrastrukturore.

Në fokus të vendimit janë emra si “Iliria”, “Dëshmorët e Kombit”, “Dervish Cara” dhe “Kongresi i Manastirit”. Për një pjesë të shqiptarëve të Tetovës, këto emërtime konsiderohen simbol i procesit të përfaqësimit më të drejtë të historisë dhe identitetit shqiptar në hapësirën publike pas Marrëveshja e Ohrit.

Emrat e vjetër do tu rikthehen edhe rrugëve “Kongresi i Manastirit”, “Dëshmorët e Kombit” dhe “Krushevska Republika” dhe do të quhen sipas politikanit dhe udhëheqësit ushtarak jugosllav, Ivo Llolla Ribar. Në listë janë edhe dy rrugë që mbajnë emrat e dy figurave të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Abdyl dhe Sami Frashëri, tanimë këto emra do të zëvendësohen me emrat e vjetër të diktatorit rus “Lenin” dhe partizanit “Radovan Coniq”. Do të hiqet edhe emri i rrugës “Metodija Andonov Çento”, ndërsa tani do të quhet sipas partizanit slloven Boris Kidriç.

Vendimi ka nxitur reagime të ashpra nga partitë shqiptare. Bashkimi Demokratik për Integrim e ka cilësuar zhvillimin si pjesë të një fushate kundër arritjeve politike të shqiptarëve, ndërsa Arbër Ademi ka deklaruar se bëhet fjalë për një “Gjykatë destabilizuese” dhe për një kthim prapa në kohë.

Lidhur me këtë zhvillim, ka reaguar edhe ish-zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale, e ka cilësuar vendimin si ‘një ditë e zezë për shqiptarët’.

Duke akuzuar Bilall Kasamin dhe VLEN-in se kanë punuar kundër interesave të shqiptarëve, Osmani shkruan se vendimi i sotëm është një goditje ndaj identitetit shqiptar. Ai vijoi më tej duke treguar se sheshi ‘Iliria’ do të marrë emrin që ka pasur më parë, ‘Marshal Tito’.

DITË E ZEZË PËR SHQIPTARËT. Gjykata Kushtetuese anuloi vendimin për emërtimet e rrugëve dhe shesheve në Tetovë, duke rikthyer emrin “Marshal Tito” në vend të sheshit “Iliria”. Një tjetër goditje ndaj identitetit shqiptar. Një tjetër plagë mbi të ardhmen e përbashkët. Një tjetër hap prapa për këtë vend. Në fund, Bilall Kasami duhet të jetë i lumtur. Dikur shkruante poezi për Titon. Sot, Tito u kthye në Tetovë gjatë qeverisjes së tij dhe VVLEN-it. Shqiptarët nuk do ta harrojnë.

EMISIONET