Zjarr i madh përfshin qendrën e riciklimit në Londër/ Tymi i dendur 'paralizon' linjat hekurudhore

Zjarr i madh përfshin qendrën e riciklimit në Londër/ Tymi i

Brigada e Zjarrfikësve të Londrës bëri të ditur se rreth 100 efektivë dhe 15 automjete janë angazhuar për të vënë nën kontroll një zjarr të madh që shpërtheu në një qendër riciklimi në zonën e Bermondsey, në juglindje të Londrës.

Zjarri u raportua pak pas orës 17:30 me kohën lokale, pas telefonatave të shumta nga banorët që vunë re tymin e dendur që u përhap mbi qytet. Në operacion u përfshinë ekipe nga disa stacione zjarrfikëse, përfshirë Deptford, Old Kent Road dhe Greenwich.

Flakët përfshinë objektin e riciklimit që ndodhet pranë një linje kryesore hekurudhore. Për ndërhyrjen u përdorën edhe mjete të specializuara, mes tyre dy shkallë rrotulluese 32 metra, që lehtësuan ndërhyrjen nga lart.

Ngjarja ka sjellë probleme të mëdha në transportin hekurudhor. Janë raportuar anulime dhe devijime në linjat që lidhin London Bridge me zona të tjera të qytetit. Shërbimet midis London Bridge dhe Dartford janë pezulluar për shkak të afërsisë së zjarrit me infrastrukturën hekurudhore.

Autoritetet u kanë kërkuar qytetarëve të shmangin zonën dhe banorëve të lagjeve përreth të mbajnë dritaret dhe dyert e mbyllura për shkak të tymit të dendur.

Deri tani nuk raportohet për persona të lënduar. Hetimet po vijojnë për të përcaktuar shkaqet e zjarrit, ndërsa ekipet e emergjencës mbeten në terren për shuarjen e plotë të flakëve.

EMISIONET