VIDEO/ "BERISHA-RAMA, në aleancë nga 2008-ta!" - Ish-Presidenti Topi mbështet revoltën e qytetarëve: Kjo protestë është kundër sistemit politik të kalbur
I ftuar në ”Koha Jonë-Debat”, ish-presidenti Bamir Topi i pyetur nga Nikoll Lesi, ka folur për situatën më të nxehtë politike, protestat kundër investimit në Zvërnec dhe kundër dyshes Rama-Berisha, që tashmë po mbahen edhe në Diasporë.
I pyetur mbi deklarimet se pas protestave mund të qëndrojnë faktorë të huaj, Topi u shpreh se deri tani kjo lëvizje i është dukur “e çuditshme dhe befasuese”, por theksoi se ajo ka karakter natyral dhe vjen nga një pakënaqësi e akumuluar në shoqëri.
Sipas tij, protestat nuk lidhen vetëm me qeverinë, por edhe me opozitën, duke reflektuar një qëndrim më të gjerë kundër sistemit politik. “Këta kanë dalë përballë sistemit”, u shpreh Topi, duke shtuar se fenomeni i protestës ka qenë i pritshëm për shkak të zhvillimeve të mëparshme politike.
Pjesë nga biseda
Lesi: Kryeministri Rama ka thënë se ka ndërhyrje, duke aluduar domethënë pas tyre janë iranianët. Njëherë me parë Rama tha se janë grekët. Komenti juaj?
Topi: Deri tani edhe për mua ka qenë e çuditshme, befasuese për hir së vërtetës, dua të flasim haptas. Se zakonisht protestat duhen kohë të organizohen, por kjo qenë një protestë dhe është një protestë shumë natyrale, që vjen nga një terren i cili ka akumuluar shumë kënaqësi. Ju thashë në fillim të bisedës nuk është thjesht për kryeministrin, është dhe për kryetarin e opozitës.
Topi: Pra këta kanë dalë përballë sistemit dhe kanë arritur që publikisht të shohin, të deklarojnë në nivelin e shoqërisë pikërisht atë që unë kam lajmëruar. Thashë në prillin e vitit 2008, më vjen jashtë masë e mirë. Do kisha qenë me kokëm ulur në rast se unë nuk do kisha folur për atë pjesë.
Lesi: Zoti Topi, me aq sa thoni ju, kjo protestë që nisi për flamingot ka kaluar në kërkesa politike apo jo? Dhe po fillohet të konturohet si një lëvizje, si një forcë politike, apo jo?
Lesi: A mendoni se brenda pak ditësh do të ketë një lider, një komitet organizator apo do jetë vetëm kështu me folës sporadik?
Topi: Këtë unë nuk di ta them, por doja të thoja që me një lloj skepticizmi, që të gjithë tentativat për të hyrë nga politika dhe për të infektuar këtë lloj lëvizjeje do ishte shkatërrimi i kësaj lëvizje. Nuk është shumë e rëndësishme ideja për të konturuar një lidership në këtë moment. Për mua vlen protesta.
"BERISHA-RAMA janë në aleancë nga 2008-ta!"

Në ”Koha Jonë-Debat”, ish-presidenti Bamir Topi komentoi zhvillimet politike rreth protestave dhe rolit të opozitës, duke ngritur dyshime të forta për mënyrën se si Partia Demokratike po pozicionohet në raport me lëvizjet qytetare.
Përballë Nikoll Lesit, ish-presidenti Topi tha se ndryshimi i shpejtë i qëndrimeve brenda pak ditësh tregon një reagim të PD dhe të ish-kryeministrit Sali Berisha, të cilët e kanë parë veten “të ekspozuar” përballë një proteste që po fiton mbështetje dhe jehonë.
Topi deklaroi se situata është “momenti më i rrezikshëm dhe më i papranueshëm”, duke shtuar se dyshon për ndërhyrje të drejtpërdrejtë të PD-së në protestë, për shkak të thirrjeve që sipas tij po vijnë nga struktura të ndryshme të partisë në rrethe për t’u bashkuar me lëvizjen.
Pjesë nga debati
Lesi: Ka dhe një gjë zoti president, që po të shohësh shtypin opozitar, pranë doktor Berishës kanë filluar ta suportojnë shumë dhe të bëjnë thirrje dhe degëve të PD-së në rrethe që duhet të dilni dhe duhet të përbashkoni me këtë protestë. Mos po fut duart PD-ja?
Topi: Ky është momenti më i rrezikshëm dhe më i papranueshëm.
Lesi: Dyshon se mund të fusi duart?
Topi: Absolutisht dyshoj sepse ndryshimi i qëndrimit brenda 48 orëve tregon që Partia Demokratike dhe specifikisht Sali Berisha e ka parë veten shumë keq, sepse sheh në mënyrë krahasimore sjelljen politike të protestës së PD-së e cila erdhi duke u reduktuar. Sheh që këta të rinj janë duke akumuluar më shumë, më shumë dhe mbi të gjitha ka pasur dhe jehonë ndërkombëtare. Prandaj thashë që më i ekspozuari ndaj kësaj lëvizje masive është Sali Berisha pasi e nxjerrin jashtë loje si opozitë, pastaj vjen Edi Rama….
/Koha Jonë/



