Dojna Mema nga protesta: Zëri ynë më i fortë se pushteti dhe propaganda

Moderatorja e emisionit “Piranjat”, Dojna Mema, ka marrë pjesë në protestën e zhvilluar së fundmi, ku ka mbajtur një fjalim para qytetarëve, duke e cilësuar këtë si një betejë për të ardhmen e vendit dhe për brezat që vijnë.

Ajo është shprehur se zëri i qytetarëve është më i fortë se pushteti, paratë dhe propaganda, duke e konsideruar protestën si një kauzë të përbashkët të çdo shqiptari që, sipas saj, nuk pranon ta shohë Shqipërinë të trajtuar si mall tregu.

Në fjalën e saj, Mema u është drejtuar qytetarëve duke thënë se ata janë frymëzim dhe shpresë për një Shqipëri të re, ndërsa ka theksuar se protestuesit nuk duhet të dorëzohen, të heshtin apo të tërhiqen nga qëllimi i tyre.

Ajo është shprehur gjithashtu se kur qytetarët bashkohen, as pushteti, as paratë dhe as propaganda nuk mund t’i ndalojnë, ndërsa ka ftuar çdo shqiptar brenda dhe jashtë vendit që t’i bashkohet kësaj lëvizjeje.

Fjala e plotë e mbajtur nga Mema:

Të gjithë ju jeni frymëzim dhe shpresa e një Shqipërie të re!

Ne nuk dorëzohemi, nuk heshtim dhe nuk luajmë me të ardhmen tonë. Zëri ynë është më i fortë se kurrë, sepse kur ngrihemi dhe bëhemi bashkë, as paratë, as pushteti dhe as propaganda nuk mund të na mbyllin gojën.

Kjo protestë i përket çdo shqiptari që e do vendin e tij, që e dhemb toka e tij dhe që nuk pranon ta shohë Shqipërinë të shitur si mall tregu.

Ftojmë çdo njeri që e do Shqipërinë t’i bashkohet kësaj proteste. Çdo emigrant që u detyrua të largohej nga vendi i tij. Çdo student që largohet për një arsim më të mirë, me zemrën plot mall për shtëpinë.

Kjo protestë është e çdo qytetari që dëshiron të jetojë në një vend normal, ku uji dhe energjia nuk janë luks, ku kujdesi shëndetësor është një e drejtë dhe jo një privilegj, ku askush nuk detyrohet të shesë shtëpinë për t’u kuruar jashtë vendit.

Por mbi të gjitha, kjo protestë është për fëmijët tanë. Ne ua kemi detyrim atyre një Shqipëri më të mirë, një Shqipëri të re.

Mos bini pre e provokimeve dhe përçarjeve. Mos harroni qëllimin tonë kryesor: jemi këtu për Shqipërinë dhe për shqiptarët.”

EMISIONET