U hodh në lumë për të shpëtuar djalin, babai humb jetën pas shpëtimit të 5-vjeçarit në Itali

Ngjarja ndodhi pranë Ronchis di Latisana, në provincën e Udines, nën viaduktin e autostradës A4. Alarmi u dha nga kalimtarë të rastit, të cilët njoftuan shërbimet e emergjencës pasi panë persona në vështirësi në lumë.
Sipas autoriteteve italiane, viktima ishte një murator 38-vjeçar, me origjinë nga Baku i Azerbajxhanit, i cili jetonte në Pontebba, në provincën e Udines.
Raportohet se ai u hodh në ujë pasi djali i tij 5-vjeçar e gjysmë u mor nga rryma. Bashkë me të ndodheshin edhe dy vajzat e familjes, 9 dhe 11 vjeçe. Babai arriti ta nxirrte djalin në breg, ndërsa dy vajzat dhe nëna e tyre u ndihmuan nga persona që ndodheshin pranë vendit të ngjarjes.
Menjëherë pas shpëtimit të të birit, 38-vjeçari u zhduk në ujërat e lumit.
Në vendngjarje ndërhynë zjarrfikësit, një helikopter dhe zhytësit, të cilët nisën menjëherë kërkimet. Pas disa orësh, trupi i pajetë i burrit u gjet në bregun tjetër të lumit Tagliamento.
Ndërkohë, djali 5-vjeçar, i cili kishte pësuar sindromë të rëndë mbytjeje, u transportua me helikopter në spitalin e Udines. Mjekët konfirmuan se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.


