Trump sulmon Melonin pas G7/ Kryeministrja italiane kundërpërgjigjet: As unë dhe as Italia nuk i lutemi askujt

Presidenti amerikan Donald Trump ka folur sërish për kryeministren italiane Giorgia Meloni, duke bërë deklarata kritike ndaj saj në një intervistë të shkurtër për rrjetin televiziv amerikan NBC.
“Meloni më mbështeste me fanatizëm, por nuk e dua si fanse, sepse nuk më qëndroi pranë, as ajo dhe as NATO, kur lindi çështja e Ngushticës së Hormuzit”, deklaroi Trump.
Më herët, në televizionin italian La7, presidenti amerikan kishte thënë se kryeministrja italiane e kishte lutur që të bënin bashkë një foto gjatë samitit të G7 në Evian dhe se “i kishte ardhur keq për të”.
Në reagim ndaj deklaratave të Trump, Giorgia Meloni publikoi sot në rrjetin social X një video ku shprehet “e habitur” nga ajo që e cilësoi si “një shpikje të pastër” nga ana e presidentit amerikan. Ajo akuzoi gjithashtu Trump se tregon më shumë respekt ndaj kundërshtarëve të Perëndimit sesa ndaj aleatëve të vjetër dhe tradicionalë.
“Deklaratat e Donald Trump janë një shpikje e pastër. Jam sinqerisht e habitur. Nuk e di përse presidenti i Shteteve të Bashkuara sillet në këtë mënyrë ndaj aleatëve të tij. Për më tepër, nuk është hera e parë”, tha Meloni.
Ajo shtoi: “Mund të them vetëm se është zhgënjyese që ai nuk tregon të njëjtën vendosmëri ndaj armiqve të Perëndimit dhe të Shteteve të Bashkuara, liderët e të cilëve, përkundrazi, i trajton me shumë më tepër tolerancë”.
“Ka diçka që duhet ta kujtojë: as unë dhe as Italia nuk i lutemi kurrë askujt”, deklaroi kryeministrja italiane.
Tensionet nisën në kuadër të samitit të G7, ku Trump dhe Meloni u shfaqën duke biseduar në një atmosferë në dukje miqësore. Gjatë një bisede joformale me liderët europianë, presidenti amerikan thuhet se e ka ngacmuar publikisht kryeministren italiane duke përsëritur shprehjen: “Më braktise”.
Meloni iu përgjigj duke buzëqeshur: “Ne kemi qenë gjithmonë miq”, duke tentuar të ulte tonet.
Megjithatë, situata u përshkallëzua pasi Trump, në një intervistë për La7, pretendoi se Meloni “i ishte lutur” për një foto gjatë samitit.
“Ajo e donte shumë një foto me mua. Nuk isha i detyruar ta bëja, por më erdhi keq për të”, tha Trump.


