Përplasje në LDK para Kuvendit të Jashtëzakonshëm/ Havolli dhe Gecaj shkëmbejnë akuza publike

Pak ditë para mbajtjes së Kuvendit të Jashtëzakonshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK)brenda partisë kanë nisur përplasjet publike mes disa zyrtarëve.
LDK ka njoftuar se kryetari Lumir Abdixhiku ka vendosur thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm, pasi Sekretariati i Përgjithshëm ka përfunduar verifikimin e kërkesës së paraqitur nga delegatët. Sipas partisë,janë plotësuar kriteret statutare, përkatësisht është siguruar mbështetja e të paktën një të tretës së delegatëve.
Kuvendi i Jashtëzakonshëm është caktuar të mbahet më 30 korrik 2026, ku pritet të diskutohen zhvillimet e brendshme politike në LDK.
Në prag të këtij takimi, zyrtari i LDK-së, Sokol Havolli, ka reaguar përmes një postimi në Facebook, duke deklaruar se vendimmarrja për të ardhmen e partisë duhet t’i takojë vetëm strukturave të saj.
“Te enjten është dita ku LDK vendos për LDK. E jo LDK të vendoset nën kontroll të satelitëve të PDK”, ka shkruar Havolli.
Kjo deklaratë ka sjellë reagimin e zyrtarit tjetër të LDK-së, Bajram Gecaj, i cili i ka drejtuar një pyetje publike Havollit.
“Pyetje publike për Sokol Havollin: A ta merr mendja se unë jam satelit i PDK?”, ka shkruar Gecaj.
Kuvendi i Jashtëzakonshëm pritet të zhvillohet sipas procedurave statutare të LDK-së, ndërsa partia ka deklaruar se procesi do të udhëhiqet me transparencë dhe respektim të vullnetit të delegatëve.


