Roma hap derën e largimit për Kumbullën, klubi spanjoll ndjek mbrojtësin shqiptar

E ardhmja e Marash Kumbullës te Roma mbetet në pikëpyetje, teksa mbrojtësi shqiptar nuk shihet si pjesë e planeve të trajnerit Xhan Piero Gasperini për sezonin e ri. Klubi italian po vlerëson mundësinë e një largimi gjatë merkatos së verës, ndërsa për lojtarin kanë nisur të shfaqen interesime nga jashtë Italisë.
Roma po punon për të ndryshuar strukturën e repartit të mbrojtjes dhe Kumbulla është një nga emrat që mund të largohet.
Sipas mediave italiane, një nga klubet që po monitoron situatën e 25-vjeçarit është Rajo Vajekano në La Liga.
Një kalim në Spanjë do të ishte një tjetër eksperiencë për Kumbullën, i cili e njeh kampionatin spanjoll pas huazimeve te Espanjoli dhe Majorka.
Mbrojtësi shqiptar ka pasur mundësi të aktivizohet në La Liga dhe një transferim i ri mund t’i japë më shumë hapësira për të luajtur rregullisht.
Ndërkohë, Roma po kërkon alternativa të reja për repartin difensiv dhe drejtuesit po analizojnë disa profile për sezonin e ardhshëm. Për Kumbullën, objektivi kryesor mbetet gjetja e një skuadre ku mund të ketë më shumë minuta dhe vazhdimësi, edhe pse dëshira e tij ka qenë të vijojë aventurën në kampionatin italian me fanellën verdhekuqe.


