Skandali tatimor / Bernard Arnault dënohet me 22.5 milionë euro taksa shtesë

Skandali tatimor / Bernard Arnault dënohet me 22.5 milionë euro taksa

Një goditje e re ligjore ka përfshirë njeriun më të pasur të Francës dhe Evropës, Bernard Arnault. Gjykata Administrative e Apelit e Parisit ka vendosur që kreu i gjigantit të mallrave luksoze LVMH dhe bashkëshortja e tij duhet të paguajnë afërsisht 22.5 milionë euro taksa shtesë dhe penalitete.

Sipas vendimit të zbardhur nga Agjencia Franceze e Lajmeve (AFP), kjo shumë e majme ndahet në dy periudha kryesore:

12.96 milionë euro për vitin 2010, e cila përfshin taksa, kontribute shoqërore, mbishpagesa dhe interesa për vonesat.
9.5 milionë euro si taksë solidariteti francez (taksë mbi pasurinë), e cila mbulon periudhën nga viti 2012 deri në vitin 2015.

Në qendër të këtij hetimi tatimor ka qenë struktura e ndërlikuar e aksioneve të LVMH Moët Hennessy Louis Vuitton SE. Siç raporton media franceze L’Informé, autoritetet franceze u detyruan të kërkonin ndihmë juridike ndërkombëtare nga Luksemburgu dhe Bahamas për të zbuluar skemat komplekse financiare të çiftit Arnault.

Bernard Arnault aktualisht mban vendin e tetë në listën e miliarderëve të Bloomberg, me një pasuri të vlerësuar në rreth 165 miliardë dollarë.

EMISIONET