S’KA PAQE NË GJENEVË! Bisedimet Rusi-Ukrainë përfundojnë pa ndonjë progres

S’KA PAQE NË GJENEVË! Bisedimet Rusi-Ukrainë

Dy ditë negociatash në Gjenevë midis Rusisë dhe Ukrainës që synonin t’i jepnin fund luftës gati katërvjeçare përfunduan sot pa rezultate të prekshme.

“Pas pothuajse dy orësh bisedimesh të ndërmjetësuara nga SHBA-ja, delegacioni rus u largua nga vendi i takimit”, sipas TASS.

Kreu i delegacionit rus, Vladimir Medinsky, i përshkroi bisedimet si “të vështira, por objektive” duke shtuar se nuk ishte arritur asnjë rezultat.

Ai shtoi se një raund i ri negociatash ishte planifikuar në të ardhmen e afërt.

“Bisedimet zgjatën dy ditë. Dje u zhvilluan takime shumë të gjata në formate të ndryshme, ndërsa sot bisedimet zgjatën dy orë”, tha Medinsky, ish-ministër i Kulturës dhe këshilltari aktual i presidentit rus, Vladimir Putin.

“Pas përfundimit të bisedimeve zyrtare, përfaqësuesit e të dy palëve zhvilluan një takim tjetër të drejtpërdrejtë”, tha Medinsky, duke shtuar se kishte biseduar privatisht me delegacionin ukrainas para se të nisej në Moskë. Ai nuk dha detaje rreth përmbajtjes së diskutimit.

Media shtetërore ruse e përshkroi atmosferën në Gjenevë si “shumë të tensionuar”. Në të kundërt, i dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff, shkroi në X se përpjekjet e presidentit Donald Trump për të bashkuar palët kishin rezultuar me një “progres domethënës”.

Negociatori kryesor i Ukrainës, Rustem Umerov, konfirmoi përfundimin e takimit dyditor. Duke folur me më shumë kujdes, ai i përshkroi diskutimet si “intensive dhe thelbësore”.

“Ka pasur përparim, por nuk mund të njoftohen detaje në këtë fazë”, tha Umerov.

“Hapi tjetër është të arrihet një “nivel marrëveshjeje” që mund t’i paraqitet presidentit Volodymyr Zelensky”, shtoi ai.

EMISIONET