SHBA 'çmonton' “Alligator Alcatraz”/ Mbyllet qendra e deportimeve në Everglades, i jepet fund eksperimentit kontrovers

SHBA 'çmonton' “Alligator Alcatraz”/ Mbyllet qendra

Qendra e deportimit në Florida, e njohur si “Alligator Alcatraz”, është mbyllur pas disa muajsh funksionimi, duke shënuar fundin e një prej projekteve më të diskutueshme të politikës së emigracionit në SHBA.

Lajmi u bë i ditur nga guvernatori republikan i Floridës, Ron DeSantis, i cili konfirmoi se në objekt nuk ka më të paraburgosur dhe se procesi i mbylljes është drejt përfundimit.

Sipas tij, qendra ishte konceptuar që në nisje si një zgjidhje emergjente. Kohët e fundit, mediat amerikane kanë raportuar se kostot e larta të funksionimit mund të kenë ndikuar në vendimin për ta mbyllur.

Autoritetet kishin njoftuar më herët mbylljen e përkohshme të saj në fillim të qershorit, duke përmendur rreziqet nga sezoni i uraganeve në Florida dhe pamundësinë për të garantuar sigurinë e personave të ndaluar në zonën e Everglades. Të gjithë të paraburgosurit janë transferuar në objekte të tjera.

Qendra ishte ndërtuar në një zonë kënetore, një zgjedhje që sipas autoriteteve synonte të dekurajonte tentativat për arratisje, për shkak të pranisë së kafshëve të egra si aligatorët. Sipas DeSantis, përmes këtij objekti kanë kaluar mbi 22 mijë persona.

Objekti u ndërtua në një kohë shumë të shkurtër, me struktura të përkohshme si tenda dhe kontejnerë transporti, pa procedurat e zakonshme të miratimit apo vlerësimet mjedisore. Ai u inaugurua në verën e vitit 2025 dhe u prezantua si një qendër me kushte të forta paraburgimi.

Gjatë funksionimit të tij, qendra është përballur me kritika të shumta nga organizatat e të drejtave të njeriut dhe familjarët e të ndaluarve, të cilët kanë ngritur shqetësime për kushtet brenda objektit, përfshirë higjienën dhe trajtimin e të paraburgosurve. Autoritetet kanë hedhur poshtë akuzat.

Emri “Alligator Alcatraz” i referohej burgut të famshëm Alcatraz në San Francisko, i konsideruar dikur si një nga burgjet më të sigurta në SHBA, nga i cili arratisja konsiderohej thuajse e pamundur.

Me mbylljen e tij, një nga projektet më të debatuara të politikës së emigracionit në SHBA del jashtë funksionit, duke lënë pas polemika mbi mënyrën e trajtimit të emigrantëve dhe kushtet e ndalimit.

 

EMISIONET