Senatorët amerikanë zotohen për trysni ndaj Johnsonit për ta hedhur në votim pakon me ndihmë për Ukrainën
Një delegacion i Senatit amerikan që e vizitoi Ukrainën të premten – i udhëhequr nga lideri i shumicës në Senat, Chuck Schumer, – u zotua se do t’i bëhet trysni liderit të Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, për ta hedhur në votim një projektligj i cili përfshin ndihmë ushtarake për Kievin.
“Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për t’i thënë atij [kryetarit Mike Johnson] se çfarë mësuam këtu dhe do t’i bëjmë trysni haptazi për ta marrë vendimin e duhur”, tha Schumer pas një takimi me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Schumer, i cili ishte pjesë e delegacionit prej pesë senatorëve që biseduan me Zelenskyn në Lviv, tha se Johnson, një republikan nga Luiziana, duhet “ta bëjë gjënë e duhur”, duke shtuar se senatorët e tjerë janë të bindur se projektligji do të kalojë. Schumer, një demokrat nga Nju Jorku, tha apo ashtu se Zelensky u ka thënë senatorëve se Ukraina do ta humbë luftën, nëse nuk merr ndihmë.
Senati e miratoi javën e kaluar një pako me ndihmë ushtarake, e cila përfshin 61 miliardë dollarë për Ukrainën. Presidenti amerikan Joe Biden i ka bërë thirrje Dhomës së Përfaqësuesve ta miratojë atë, por Johnson i dërgoi në pushim dyjavor anëtarët, pa e hedhur fare në votim projektligjin. Johnson, aleat i ish-presidentit Donald Trump, votoi kundër projektligjeve që ofronin ndihmë për Ukrainën, para se të bëhej kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve. Schumer tha se sikur forcat ukrainase gjatë mbrojtjes së Avdivkës të kishin më shumë armë dhe municion, rezultati do të kishte qenë ndryshe.
Javën e kaluar, forcat ukrainase u tërhoqën nga Avdivka, qytet në rajonin e Donjeckut, pas shumë muajsh luftime kundër forcave pushtuese ruse.
“Nëse Ukraina nuk merr mbështetje, Putini mund të shkojë mu në kufirin polak herët a vonë”, tha Schumer, duke shtuar se delegacionit amerikanë u kanë thënë pothuajse të gjithë gjatë vizitës, përfaqësuesit e ushtrisë, politikanët dhe diplomatët, se nëse Ukraina ndihmohet, atëherë ajo do ta fitojë këtë luftë.
Një senator tjetër, Jack Reed tha se Shtetet e Bashkuara duhet patjetër të vendosin për ta ndihmuar Ukrainën, në mënyrë që të mos detyrohen t’i dërgojnë atje trupat e veta.
“Siç e tha shumë mirë edhe senatori Schumer për kryetarin Johnson: Nëse vjen në Ukrainë, do ta shohësh varrezën që ne e pamë sot, nëse shkon te muri në Kiev, të cilin e vizitova për të vendosur kurorë me lule, do ta shohësh se njerëz të të gjitha moshave kanë vdekur në mbështetje të demokracisë”, tha Reed.