Publikohen dokumente të FBI për Trump! Intervista e 2019-ës për pretendime të pakonfirmuara ndaj Trump dhe Epstein

Dokumente të FBI-së me përmbledhje intervistash për pretendime të pakonfirmuara ndaj Donald Trump janë publikuar si pjesë e dosjeve të çështjes Jeffrey Epstein. Departamenti amerikan i Drejtësisë tha se materialet nuk u publikuan më herët për shkak të një gabimi teknik gjatë procesit të rishikimit.

Publikohen dokumente të FBI për Trump! Intervista e 2019-ës

Dokumente të FBI-së që përmbledhin intervistat me një grua e cila ka bërë pretendime të pakonfirmuara për abuzim seksual ndaj Donald Trump janë publikuar si pjesë e materialeve të Departamentit amerikan të Drejtësisë që lidhen me çështjen e financierit të ndjerë Jeffrey Epstein.

Publikimi vjen pasi mediat amerikane raportuan se disa dokumente mungonin në databazën zyrtare të departamentit, duke nxitur akuza nga demokratët për një përpjekje për fshehje të informacionit.

Departamenti i Drejtësisë deklaroi se dokumentet nuk ishin publikuar fillimisht për shkak të një gabimi teknik gjatë procesit të rishikimit. Sipas autoriteteve, materialet ishin “koduar gabimisht si dokumente të dyfishta”, çka bëri që ato të mos përfshiheshin në publikimin fillestar të dosjeve.

Tre memorandumet përshkruajnë një seri intervistash të zhvilluara nga FBI në vitin 2019 me një grua të paidentifikuar. Ajo ka bërë akuza të pakonfirmuara ndaj Donald Trump dhe Jeffrey Epstein. Sipas njërit prej dokumenteve, gruaja u tha hetuesve se ishte prezantuar me Trump nga Epstein në vitet 1980, kur ajo ishte ende adoleshente. Ajo pretendoi se të dy burrat e kishin abuzuar seksualisht kur ajo ishte mes moshës 13 dhe 15 vjeç.

Dokumentet theksojnë se pas intervistave të vitit 2019, FBI nuk pati më kontakte të tjera me gruan. Po ashtu mbetet e paqartë nëse Trump dhe Epstein njiheshin gjatë periudhës kur ajo pretendon se kanë ndodhur incidentet.

Shtëpia e Bardhë reagoi ndaj publikimit të dokumenteve duke i cilësuar pretendimet “plotësisht të pabazuara” dhe pa prova të besueshme. Zëdhënësja e saj, Karoline Leavitt, deklaroi se Trump është “plotësisht i shfajësuar” nga publikimi i dosjeve Epstein dhe theksoi se administrata e mëparshme e Joe Biden nuk ngriti akuza ndaj tij.

Në materialet e publikuara, emri i Trump përmendet mijëra herë në email-e dhe korrespondencë të ndryshme të lidhura me Epstein. Megjithatë, deri më tani asnjë nga viktimat e identifikuara të financierit nuk e ka akuzuar drejtpërdrejt presidentin amerikan për krime.

EMISIONET