Prato, laboratori kriminal i Europës: Alarmi për zgjerimin e grupeve shqiptare dhe nisma e re e Parlamentit Italian

Prato, zemra e industrisë tekstile italiane dhe një nga qendrat më të rëndësishme të prodhimit në Europë, po përballet me sfidën e depërtimit të rrjeteve kriminale transkufitare.
Distrikti i tekstilit, zinxhiri i prodhimit të modës së shpejtë dhe aftësia për t'u përshtatur me tregjet globale e kanë shndërruar qytetin toskan në një qendër ndërkombëtare të qarkullimit të mallrave, kapitaleve dhe njerëzve. Por e njëjta shpejtësi që ka ushqyer rritjen ekonomike ka krijuar gjithashtu hapësira për veprim edhe për organizatat kriminale.
Vitet e fundit, magjistratura dhe strukturat hetimore italiane kanë sinjalizuar se territori i Pratos është shndërruar në një pikë kyçe bashkëpunimi për format e reja të krimit të organizuar rrjete fleksibël, të afta të operojnë përtej kufijve kombëtarë, të depërtojnë në ekonominë ligjore dhe të shfrytëzojnë mundësitë që ofron globalizimi.
Nuk bëhet më fjalë vetëm për mafiet tradicionale italiane, por për një sistem kriminal kompleks, të bazuar në aleanca të përkohshme, shkëmbim shërbimesh dhe interesa ekonomike të përbashkëta. Prato, me intensitetin e lartë të shkëmbimeve tregtare, flukset e mëdha financiare dhe praninë e zinxhirëve të fragmentuar të prodhimit, përfaqëson një terren veçanërisht tërheqës për organizatat kriminale që synojnë të riciklojnë kapitalet e paligjshme dhe të integrohen në ekonominë reale.
Prokurori i Pratos, Luca Tescaroli, në një intervistë eskluzive për Syri Tv. e ka cilësuar territorin si një «laborator kriminal multietnik», ku organizata të ndryshme mafioze ndërveprojnë, bashkëpunojnë dhe shfrytëzojnë ekonominë globale për interesa të paligjshme.
Mes tyre, sipas prokurorit, grupet kriminale shqiptare po fitojnë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në panoramën kriminale ndërkombëtare.
Tescaroli i përshkruan ato si struktura kriminale në zgjerim, të afta për të krijuar marrëdhënie me organizata mafioze italiane, për të kontrolluar rrugët e trafikut ndërkombëtar të drogës dhe për të ndërtuar lidhje të drejtpërdrejta me prodhuesit e kokainës në Amerikën Latine.
Sipas tij, grupet kriminale shqiptare janë bërë aktorë kyç jo vetëm në trafikun e narkotikëve, por edhe në pastrimin e parave, duke bashkëpunuar me rrjete të tjera kriminale transnacionale.
Një element veçanërisht shqetësues, sipas prokurorit, është përdorimi i sistemeve informale të transferimit të parave, të njohura si "banka klandestine", që lejojnë lëvizjen e kapitaleve pa kaluar përmes sistemit bankar tradicional.
Por risia më e rëndësishme e deklaratave të Tescarolit lidhet me nevojën për të krijuar instrumente të reja ligjore për luftën kundër mafieve moderne.
Prokurori bën thirrje për zgjerimin e mbrojtjes ligjore për bashkëpunëtorët dhe dëshmitarët e drejtësisë me shtetësi të huaj, duke argumentuar se organizatat kriminale transnacionale mund të goditen më efektivisht vetëm nëse shteti ofron garanci konkrete për ata që vendosin të bashkëpunojnë me drejtësinë.
Sipas tij, në Parlament janë paraqitur tashmë propozime ligjore për të lehtësuar dhënien e shtetësisë italiane për dëshmitarët e huaj të drejtësisë, një masë që mund të zgjerohet edhe për bashkëpunëtorët e drejtësisë që japin një kontribut të rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar.
Pyetje – Alba Kepi: Prokuror, ju e keni përkufizuar Praton si një "laborator kriminal multietnik". Ku pozicionohet kriminaliteti i organizuar shqiptar në këtë panoramë?
Përgjigje – Luca Tescaroli: Nuk mund të jap indikacione specifike për pyetjen që më bëni. Mund të them, në terma të përgjithshëm, se kriminaliteti shqiptar është një nga strukturat kriminale që ka fituar dhe po fiton hapësira gjithnjë e më të mëdha në panoramën kriminale botërore.
Në vendin tonë, këto organizata janë konsoliduar dhe përbëjnë një pikë referimi për realitete të tjera mafioze, si 'Ndrangheta dhe Sacra Corona Unita.
Ato konsiderohen partnerë të besueshëm në trafikun e lëndëve narkotike dhe kanë marrë një rol të rëndësishëm në këtë sektor.
Arrijnë të kenë kontakte të drejtpërdrejta me prodhuesit e kokainës në Kolumbi, kontrollojnë porte në vende të ndryshme dhe menaxhojnë importimin e sasive të mëdha të lëndëve narkotike.
Gjithashtu, luajnë rol edhe në aktivitetet e pastrimit të parave.
Ndërveprojnë me grupe kriminale kineze dhe përdorin shërbimet financiare që këto organizata janë në gjendje të ofrojnë përmes sistemeve të ashtuquajtura "banka klandestine".
Këto sisteme mundësojnë kryerjen e pagesave në vende të ndryshme pa pasur nevojë për lëvizjen fizike të parave.
Prandaj, ato janë tashmë plotësisht të integruara në panoramën kriminale të vendit tonë dhe përbëjnë një rrezik në rritje, i cili duhet të luftohet me mjete gjithnjë e më efektive.
Do të ishte e rëndësishme të mendohej për zgjerimin e legjislacionit aktual italian edhe për bashkëpunëtorët e drejtësisë me shtetësi të huaj.
Masat e mbrojtjes dhe asistencës të parashikuara nga ligji mund të nxisin bashkëpunimin me drejtësinë si nga anëtarët e organizatave kriminale të huaja, ashtu edhe nga dëshmitarët.
Kjo do të përmirësonte ndjeshëm efektivitetin e veprimeve kundër krimit të organizuar transnacional.
Alba Kepi: Kjo duket si një risi e rëndësishme. A ekziston tashmë një propozim konkret?
Luca Tescaroli: Në Parlament janë paraqitur propozime si në Dhomën e Deputetëve ashtu edhe në Senat për të lehtësuar dhënien e shtetësisë italiane për dëshmitarët e huaj të drejtësisë.
Këto masa mund të zbatohen edhe për bashkëpunëtorët e drejtësisë që japin një kontribut të rëndësishëm.
Ky është një fillim. Shpresojmë që iniciativa të tilla të gjejnë mbështetje të gjerë politike dhe të shndërrohen në ligj.
Alba Kepi: Hetimet e fundit në Prato dhe në Toskanë kanë folur për bashkëpunime mes grupeve kriminale kineze dhe shqiptare në fushën e pastrimit të parave.
Luca Tescaroli: Nuk mund dhe nuk dua të flas për hetime që janë ende në zhvillim.




