Heqja e flamurit izraelit në Tiranë, Albana Koçiu: Akt i papranueshëm provokimi që nxit antis*mitizëm

Heqja e flamurit izraelit në Tiranë, Albana Koçiu: Akt i

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu, reagoi sot në lidhje me heqjen e flamurit të Izraelit nga godina e ambasadës së Izraelit në Tiranë, mbrëmjen e kaluar gjatë protestës.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Koçiu thekson se heqja e flamurit Izraelit është një akt i papranueshëm provokimi, që cenon normat themelore të respektit ndaj përfaqësive diplomatike dhe bie ndesh me frymën e Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike.

Sipas saj ky nuk është thjesht një sulm ndaj një simboli shtetëror.

“Çdo akt që synon të shënjestrojë identitetin e një populli, të delegjitimojë praninë e tij ose të nxisë armiqësi mbi baza etnike apo fetare, krijon terren për intolerancë dhe antisemitizëm, fenomene që Europa i njeh nga kapitujt më të errët të historisë së saj dhe që nuk mund të kenë vend në shoqëritë demokratike”, theksoi Koçiu.

Gjithashtu zëvendëskryeministrja nënvizoi se, Shqipëria është një vend mikpritës, një partner i besueshëm, pa asnjë tolerancë ndaj antisemitizmit apo gjuhës së urrejtjes.

“Ky akt i turpshëm dhe i izoluar bie ndesh me traditën tonë të gjatë të harmonisë, respektit dhe mbrojtjes së tjetrit, parime këto që kanë karakterizuar popullin shqiptar përgjatë historisë”, shkruan ajo.

Në përfundin, Koçiu bëri me dije se shpreh solidaritetin e plotë me Ambasadën e Shtetit të Izraelit dhe rikonfirmoi angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për respektimin e së drejtës ndërkombëtare, mbrojtjen e misioneve diplomatike dhe promovimin e vlerave europiane të tolerancës, respektit dhe bashkëjetesës.

EMISIONET