Përshkallëzohen tensionet në Lindjen e Mesme/ Kuvajti dënon sulmet iraniane ndaj territorit të tij

Përshkallëzohen tensionet në Lindjen e Mesme/  Kuvajti dënon

Kuvajti ka dënuar me tone të ashpra sulmet iraniane ndaj territorit të tij, duke i cilësuar ato si një shkelje të papranueshme që rrezikon stabilitetin rajonal dhe dëmton përpjekjet diplomatike për uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme.

Reagimi vjen pasi Irani deklaroi se kishte goditur me raketa dhe dronë baza ushtarake amerikane të vendosura në Kuvajt dhe Bahrein, në kuadër të përshkallëzimit të fundit të konfliktit me Shtetet e Bashkuara.

Përmes një deklarate zyrtare, Ministria e Jashtme e Kuvajtit shprehu "kundërshtimin më të fortë ndaj sulmeve të përsëritura dhe të paligjshme iraniane", duke theksuar se veprime të tilla cenojnë sigurinë e vendit dhe përbëjnë një kërcënim serioz për paqen në rajon.

"Vazhdimi i këtyre sulmeve, në një kohë kur po zhvillohen përpjekje rajonale dhe ndërkombëtare për uljen e tensioneve, minon në mënyrë sistematike përpjekjet për të zbutur situatën", thuhet në deklaratën e ministrisë.

Autoritetet kuvajtiane nënvizuan se sulmet ndodhin në një moment veçanërisht të ndjeshëm për Lindjen e Mesme, ku vendet e rajonit dhe komuniteti ndërkombëtar po përpiqen të shmangin një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit.

Deklarata e Kuvajtit vjen mes rritjes së tensioneve ushtarake në rajon, ndërsa përplasjet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara po shtojnë frikën për një konflikt më të gjerë që mund të ndikojë jo vetëm në sigurinë e Lindjes së Mesme, por edhe në stabilitetin ekonomik dhe energjetik global.

 

EMISIONET