Taylor Swift zgjodhi "Love Story" për hyrjen drejt altarit/ Dalin detaje të reja nga ceremonia e martesës

Detaje të reja po dalin nga dasma madhështore e Taylor Swift dhe Travis Kelce, duke zbuluar një nga momentet më prekëse të ceremonisë që ka emocionuar familjarët, miqtë dhe fansat e çiftit.
Sipas revistës Us Weekly, Taylor eci drejt altarit përgjatë një korridori të gjatë, ndërsa një kuartet me instrumente me tela interpretonte një version instrumental të këngës së saj ikonike, Love Story. Zgjedhja e këtij hiti nuk ishte aspak rastësore, pasi kënga konsiderohet një simbol i historive të mëdha të dashurisë.
Atmosfera u bë edhe më emocionuese gjatë shkëmbimit të betimeve. Sipas burimeve pranë çiftit, fjalët e tyre rikthyen kujtimet e njohjes së parë dhe rrugëtimin që i çoi deri në ditën e martesës.
“Betimet e ndjera i rikthyen të gjithë te mënyra se si ata u njohën për herë të parë dhe te rrugëtimi që i solli deri në këtë moment”, tregoi një burim për revistën.
Emocionet ishin aq të forta, sa shumë prej të ftuarve nuk arritën t’i mbanin lotët. Madje, sipas një burimi tjetër, ishte Travis ai që u përlot më shumë gjatë ceremonisë.
“Travis u përlot edhe më shumë se Taylor. Ata ndanë detaje dhe kujtime shumë personale, disa prej të cilave shumë nga të ftuarit nuk i kishin dëgjuar kurrë më parë”, u shpreh burimi.
Kënga Love Story, e publikuar në vitin 2008 si singulli kryesor i albumit Fearless, mbetet një nga projektet më të dashura të artistes.
Në një intervistë të mëparshme për The New York Times Magazine, Taylor kishte zbuluar se e shkroi këngën kur ishte vetëm 17 vjeçe, pas një debati me prindërit për një djalë me të cilin dëshironte të dilte.
Për fansat, fakti që këngëtarja zgjodhi pikërisht Love Story për hyrjen e saj drejt altarit u interpretua si një mënyrë simbolike për të mbyllur rrethin e një historie që nisi si një këngë romantike dhe përfundoi me një dashuri të kurorëzuar me martesë.



