Pas 16 vitesh qeverisje të Orbanit, ekranet e zeza në mediat publike hungareze: Kërkojmë falje, media nuk mund të gënjejmë

Pas 16 vitesh qeverisje të Orbanit, ekranet e zeza në mediat publike

Një situatë e pazakontë është regjistruar në Hungari, ku disa prej mediave kryesore publike kanë ndërprerë transmetimet pas ndryshimit politik në vend dhe humbjes së zgjedhjeve nga kampi i ish-kryeministrit Viktor Orban.

Në ekranin e televizionit shtetëror M1 është shfaqur një sfond i zi me mesazhin: “Media nuk mund të gënjejë. Kërkojmë falje që e kemi bërë këtë për vite me radhë.”

M1 për vite me radhë është konsideruar si një media pranë qeverisë së Orbanit, ndërsa kritikët e kanë akuzuar për mungesë pavarësie editoriale dhe për mbështetje ndaj politikave të qeverisë së mëparshme.

Sipas mediave hungareze, ndërprerja e transmetimeve ka prekur edhe radion publike Kossuth Radio, ndërsa faqet online të disa institucioneve mediatike kanë shfaqur gjithashtu ekrane të zeza.

Kryeministri i ri i Hungarisë, Péter Magyar, ka njoftuar një riorganizim të mediave publike dhe një ndryshim në mënyrën e administrimit të tyre. Përkohësisht, programet informative janë pezulluar, ndërsa në radio vijon vetëm transmetimi muzikor nga një stacion partner.

Magyar e ka cilësuar këtë periudhë si një pikë kthese për median publike, duke thënë se ajo do të rikthehet nën një model të ri funksionimi. Sipas tij, gjatë viteve të fundit mediat publike kanë humbur pavarësinë dhe kanë shërbyer si mjete propagande.

Gjatë 16 viteve të qeverisjes së Viktor Orbanit, kritikët kanë ngritur akuza se mediat publike u vunë nën ndikimin e qeverisë dhe humbën rolin e tyre të pavarur.

Partia Tisza e drejtuar nga Magyar fitoi zgjedhjet parlamentare me premtimin për reforma në institucionet publike, përfshirë edhe sistemin mediatik.

Ndërkohë, Viktor Orban ka kundërshtuar ndryshimet e reja, duke i cilësuar ato si një veprim politik kundër partisë së tij dhe një “hap të tiranisë së Tiszas”.

EMISIONET