E RËNDË NË GJERMANI/ Sulm me th*kë në shkollë, 16-vjeçari plagos dy nxënëse

Një sulm me thikë në një kompleks shkollor në Schongau, në jugperëndim të Mynihut, ka tronditur Gjermaninë, pasi dy nxënëse kanë mbetur të plagosura rëndë nga një 16-vjeçar.
Ngjarja ndodhi në oborrin e shkollës, ku adoleshenti dyshohet se sulmoi me thikë dy vajzat. Sipas autoriteteve, ai mund të ketë pasur me vete edhe një armë zjarri, ndërsa pas ndërhyrjes së policisë është arrestuar.
Dy nxënëset u transportuan në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Pavarësisht plagëve të marra, gjendja e tyre raportohet jashtë rrezikut për jetën.
Pas njoftimeve të para për të shtëna me armë dhe disa persona të plagosur, në zonë mbërritën forca të shumta policie dhe helikopterë të reagimit të shpejtë.
Ministri i Brendshëm i Bavarisë, Joachim Herrmann, bëri të ditur se hetimet paraprake flasin për një autor të vetëm dhe se deri tani nuk ka të dhëna për persona të tjerë të përfshirë në sulm.
Autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur motivin e ngjarjes, ndërsa mbetet ende e paqartë arsyeja që çoi 16-vjeçarin drejt sulmit ndaj dy nxënëseve.


