Meloni pas samitit të NATO-s: Italia nuk ka marrë pjesë në sulmet ndaj Iranit, mbështesim negociatat

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka sqaruar qëndrimin e Italisë ndaj konfliktit me Iranin pas përfundimit të samitit të NATO-s në Ankara. Roma nuk ka marrë pjesë në sulme ndaj Iranit dhe vijon të mbështesë një zgjidhje diplomatike për përfundimin e tensioneve.
Gjatë konferencës për shtyp, Meloni u shpreh se Italia respekton angazhimet e saj ndërkombëtare, por nuk ka përdorur bazat ushtarake në vend për operacione sulmuese ndaj Iranit.
"Qëndrimi i Italisë për përdorimin e bazave ushtarake në vendin tonë është i qartë. Ne i respektojmë angazhimet tona si të gjitha kombet serioze, por thamë se nuk do të merrnim pjesë në sulme në Iran dhe nuk kemi marrë pjesë në sulme në Iran", tha Meloni.
Kryeministrja italiane u ndal edhe te rruga diplomatike për zgjidhjen e konfliktit. Sipas saj, veprimet ushtarake deri tani nuk kanë sjellë rezultate konkrete dhe për këtë arsye duhet të vijojnë përpjekjet për negociata.
"Unë besoj se deri më tani opsioni ushtarak në këtë rast nuk ka dhënë rezultate kaq konkrete dhe mendoj se duhet të këmbëngulim në kapacitetin dhe mundësinë e negociatave", u shpreh Meloni.
Qëndrimi i Italisë vjen në një kohë kur vendet e NATO-s po diskutojnë mënyrat për menaxhimin e krizave të sigurisë dhe rolin e tyre në konfliktet ndërkombëtare.


