NATO mblidhet në Turqi, Brahaj: As edhe një zog s'mund të fluturojë në qiellin e Ankarasë! Miliarda të shpenzuara për sigurinë

Kryeqyteti turk ëhtë transformuar në një kështjellë të pakapërcyeshme, i blinduar nga toka dhe qielli, teksa pret një nga samitet më jetike dhe të paprecedentë në historinë e aleancës ushtarake perëndimore.

Masat e sigurisë janë kaq ekstreme saqë një aeroport i ri, vetëm pak minuta larg pallatit presidencial, është ndërtuar enkas për këtë ngjarje. Ky aeroport pritet të presë ardhjen e presidentit amerikan, kërkesat e të cilit kanë ndezur debate të forta mbi të ardhmen e institucionit dhe marrëdhënieve transatlantike.

Dhe në prag të Samitit të Aleancës së Atlantikut që do të mbahet në Ankara, Turqia duket se ka kaluar në nivelin më të lar6të të sigurisë në vend.

“As edhe një zog nuk mund të fluturojë në qiellin e Ankarasë”, u shpreh në një raportim nga Turqia për “Ora News”, gazetari shqiptar Sokol Brahaj.

Brahaj u shpreh se Turqia ka shpenzuar miliarda për masat e sigurisë në kuadër të këtij eventi.

Takimi vjen në një moment kritik gjeopolitik për rajonin, i cili gjendet i rrethuar nga konflikte të nxehta, duke nisur nga lufta në Detin e Zi e deri te tensionet me Iranin në lindje. Përtej sfidave ushtarake rajonale, vëmendja kryesore është përqendruar te kërkesat e ashpra të Shteteve të Bashkuara.

Brahaj tregoi se pritet një insistim për rritje drastike të shpenzimeve të mbrojtjes, duke synuar që shtetet anëtare të kontribuojnë me 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ky “diagnostikim” i rreptë synon të adresojë dobësitë e brendshme, duke vënë përballë përgjegjësisë financiare vendet që prej dekadash përfitojnë nga siguria e ofruar prej SHBA-së.

Të dhënat nga grupet e punës sugjerojnë se aleanca po i drejtohet një përditësimi madhor të formatit të saj, duke kaluar në një version "3.0". Në këtë riorganizim pritet që aktorë të rëndësishëm si Turqia dhe Britania e Madhe të marrin role të reja ekuilibruese bashkë me Brukselin. Ajo që mbetet e qartë është se pas këtij takimi, struktura me 32 anëtarë do të dalë edhe më e konsoliduar, duke konfirmuar dominimin dhe rolin e pacenueshëm të Shteteve të Bashkuara si “xhandar” i sigurisë globale.

Ndërkohë, një hije misteri ka rënë mbi samitin e radhës të parashikuar për t'u mbajtur në Tiranë. Ndryshe nga tradita disavjeçare, raportohet se në deklaratën përfundimtare të takimit aktual mund të mos përmendet fare emri i vendit pritës për vitin e ardhshëm. Kjo shmangie e papritur ka ngritur pikëpyetje të mëdha nëse bëhet fjalë për një thjeshtim procedural, apo nëse fsheh dinamika dhe zhvillime të tjera të papritura brenda radhëve të aleancës.

PJESË NGA RAPORTIMI I GAZETARIT SOKOL BRAHAJ

Sokol Brahaj: Sa i përket samitit të NATO-s në Ankara, është ndër samitet për t'u shënuar dhe shumë jetik për të ardhmen e NATO-s. Është shumë i rëndësishëm dhe për funksionin e NATO-s në rajonin, domethënë pra në Europë dhe në Lindjen e Mesme. Besohet, ose thuhet të paktën deri më tani, që do të kemi rezultate krejt të ndryshme nga ato çfarë kanë qenë në samitet e tjera, dhe ky samit nuk i përket asnjë lloj samiti tjetër. Biles biles, tashmë si të thuash qoftë se ishte NATO 1-0, pastaj u bë 2-0 dhe tani pritet që të jetë 3-0. Por gjithsesi, pas ardhjes të liderëve, pas konsultimeve të mëdhaja dhe pas pritshmërisë të zotit Trump çfarë pret që të marri nga Europa, pra nga këto vendet e tjera të cilat Amerika prej shtatë-tetë dekadash i mbron, i ruan, sa do të paguajnë këto për këtë siguri, për këtë komfort që ka dekada që e mbajnë. Këto do të jenë të gjitha pyetjet kryesore, ku ky samit i bërë në Ankara, dhe në një kohë kur në të dyja anët e Turqisë, pra qoftë nga lindja e Turqisë po ashtu dhe nga Deti i Zi i Turqisë është lufta Rusi-Ukrainë, nga ana tjetër është dhe lufta e Iranit, dhe është një domethënë e shumë të rëndësishme. Kryeqyteti i Turqisë është blinduar tashmë nga qiejt, nga toka, nga të gjitha anët, dhe asnjë mizë, asnjë zog nuk fluturon dot në Ankara për të prishur qetësinë e këtij samiti, i cili me këtë samit në Ankara bën që në kryeqytetin e Ankarasë, siç ka shumë aeroporte pra qoftë aeroportin International Esenboğa po ashtu dhe aeroportet e tjera, tashmë në qendër të Ankarasë, vetëm dy tre minuta larg pallatit presidencial, pra larg sarajeve të presidentit Erdogan, është bërë një aeroport tjetër i asfaltuar ku për herë të parë ka zbritur presidenti zoti Erdogan me 15 qershor, dhe i dyti do të jetë zoti Trump që të zbresi në këtë aeroport. Është një samit shumë i rëndësishëm siç e thashë Kamela për të gjitha anët, ku do të kemi pjesëmarrjen edhe nga Qiproja dhe nga shumë vende të tjera të Ballkanit.

A pritet që të ketë qëndrime apo veprime konkrete nga aleatët, sa i përket ndoshta temave kryesore që pritet të trajtohen sot?

Sokol Brahaj: Po, në fakt ditën e pasnesërme do të kemi një rezultat të cilat grupet e punës kanë prej javësh të tëra që punojnë, deri diku kolegët tanë kanë arritur të marrin disa informacione, por ngaqë nuk janë zyrtare, normalisht që ndoshta nuk është etike që të flasim për to. Do të ketë shumë gjëra, do të ketë shumë hapa përpara në shumë aspekte dhe tashmë dihet domethënë që barku i NATO-s e kishte një dhimbje, e kishte një përzierje e cila nuk ishte një diagnozë të duhur, por me sa duket të paktën pas dy ditëve, Trump do ia vëjë diagnozën, ku dihet domethënë që Trump do 5% të PBB-ve të shteteve anëtare të NATO-s, ku vetëm shumë pak nga ato kanë arritur që të japin për NATO-n aq para, kurse të tjerat jo, dhe kjo do të jetë pika kryesore.

Po ashtu pritet që edhe Europa, pra kontinenti jonë, ku në krye të kësaj duket apo të paktën pritshmëria është që të jetë Turqia dhe Anglia pra, dhe të kenë në mes Brukselin, pritet që të kemi disa kënde të tjera apo një apdetim i formatit të NATO-s. Domethënë ajo NATO që është jo se po shkrihet NATO, por do të ketë një apdetim të cilat pritet që t'i kemi më reale domethënë se çfarë është ajo. Por me sa duket dy gjëra do të jenë shumë të rëndësishme: e para NATO-ja edhe pas dy ditëve do të jetë edhe më e fortë se sa është sot, dhe e dyta është që Amerika do të jetë përsëri të paktën edhe shumë dekada me radhë do të jetë patroni ose si t'i themi xhandari i botës duke përdorur NATO-n e sotme që është me 32 anëtarë.

PËR MË SHUMË NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME GAZETARIN SHQIPTAR NË TURQI, SOKOL BRAHAJ

EMISIONET