Mrekulli pas 11 ditësh nën rrënoja në Venezuelë/ Nëna shpëton e gjallë bashkë me tre fëmijët pas tërmetit shkatërrues

Një ngjarje e rrallë që ka emocionuar botën është regjistruar në Venezuelë, ku një nënë dhe tre fëmijët e saj janë gjetur të gjallë pas 11 ditësh të bllokuar nën rrënojat e një ndërtese të shembur nga tërmetet e fuqishme.
Familja ishte izoluar që prej 24 qershorit, kur dy lëkundje të forta sizmike goditën zonën e La Guaira, një nga rajonet më të prekura të vendit. Të katër personat mbetën të bllokuar në rrënojat e ndërtesës OPP, duke pritur për ndihmë nga ekipet e kërkim-shpëtimit.
Sipas autoriteteve, nëna arriti të mbante gjallë tre fëmijët e saj gjatë gjithë periudhës së izolimit, duke u kujdesur për ta dhe duke i ushqyer me gji derisa shpëtimtarët arritën t’i lokalizonin.
Pas 11 ditësh kërkimesh intensive, ekipet e emergjencës arritën t’i nxirrnin të katër të mbijetuarit nga rrënojat, në një moment që është cilësuar si një mrekulli mes një katastrofe të madhe.
Ndërkohë, bilanci i tërmeteve në Venezuelë vijon të jetë tragjik. Autoritetet raportojnë se mijëra persona kanë humbur jetën, ndërsa shumë të tjerë janë plagosur ose rezultojnë ende të zhdukur.
Ekipet e shpëtimit vijojnë operacionet në zonat e prekura, ndërsa familjet e prekura nga katastrofa presin ende lajme për të afërmit e tyre.


