Tragjedi në Kanada/ Dentisti ndërmerr një seri veprimesh fatale

Tragjedi në Kanada/ Dentisti ndërmerr një seri veprimesh fatale

Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin në jug të Otavës, Kanada, ku një dentist dyshohet se ka vrarë dy fëmijët e tij të mitur dhe më pas ka ndërmarrë aktin ekstrem.

Ngjarja ndodhi më 29 qershor, ndërsa sipas policisë së Otavës, 40-vjeçari Mohammed Al-Lami dyshohet se vrau dy djemtë e tij, 7 dhe 12 vjeç, në banesën e familjes. Pas ngjarjes, ai dyshohet se i vuri flakën klinikës dentare ku punonte duke përdorur mjete shpërthyese artizanale, përpara se të gjendej i vdekur brenda automjetit të tij.

Hetuesit po përpiqen të zbardhin motivet e kësaj tragjedie, ndërsa në fokus janë vendosur edhe disa ngjarje të mëparshme që lidhen me marrëdhënien e dentistit me ish-bashkëshorten.

Sipas të dhënave të publikuara nga mediat amerikane, Al-Lami kishte dërguar në vitin 2024 një email kërcënues ndaj ish-partneres së tij, e cila ishte edhe nëna e dy fëmijëve. Në mesazh ai dyshohet se kishte shkruar kërcënime të rënda ndaj saj dhe personave pranë saj.

Në një shënim të shkruar me dorë, i gjetur në zyrën e tij, dentisti kishte shprehur akuza ndaj ish-bashkëshortes, sistemit të drejtësisë dhe gjykatës së familjes. Autoritetet thanë se në dokument ai përmendte edhe persona që i konsideronte përgjegjës për situatën e tij.

Sipas dokumenteve gjyqësore, Al-Lami ndodhej në periudhë prove pasi ishte akuzuar në vitin 2024 për kërcënime ndaj ish-bashkëshortes. Gjatë një seance gjyqësore në fillim të këtij viti, ai kishte zgjedhur të përfaqësonte veten dhe nuk pranoi një marrëveshje të propozuar nga gjykata për zgjidhjen e çështjes.

Ish-bashkëshortja e tij kishte deklaruar në gjykatë se çifti ishte ndarë në vitin 2022 dhe se pas ndarjes ai kishte ndaluar së paguari detyrimet për fëmijët. Ajo tregoi se kërcënimet e marra e kishin shqetësuar dhe se vendosi t’i raportonte për shkak të frikës për sigurinë e saj dhe të fëmijëve.

Autoritetet kanadeze vijojnë hetimet për rastin e vrasjes-vetëvrasjes. Emrat e dy fëmijëve nuk janë bërë publikë, në respekt të nënës së tyre, e cila sipas policisë po merr mbështetje pas humbjes së rëndë.

Policia pritet të japë më shumë detaje pas përfundimit të ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe hetimeve mbi rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje tragjike.

EMISIONET