Metaj: Sulmi i Iranit ishte simbolik, armëpushimi i brishtë por i qëndrueshëm falë ndërmjetësimit të SHBA-së

Në një lidhje të drejtpërdrejtë televizive, gazetari Elton Metaj komentoi zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, duke theksuar delikatesën e armëpushimit të kërkuar nga presidenti Trump.

" Armëpushimi i kërkuar nga presidenti Trump është mjaft delikat dhe i brishtë, megjithatë duket sikur të dy palët me shumë përpjekje po arrijnë të bëjnë kujdes për ta mbajtur këtë armëpushim.

Mbërritja deri tek armëpushimi ishte një situatë komplekse, një situatë që u zhvillua me mjaft administrim për shkak të ndikimit maksimal të politikës amerikane, si mbi Izraelin ashtu edhe me Iranin indirekt nëpërmjet Katarit.

Ajo që ndodhi dje me sulmin e Iranit kundër bazës amerikane në Katar ishte një reagim i pritshëm, një reagim i cili nuk pati asnjë pasojë, pra nuk pati asnjë dëm njerëzor apo material në bazën amerikane.

Trump e konfirmoi mbrëmjen e djeshme. Ishte një reagim për të cilin pala amerikane ishte njoftuar. Ishte formuar një trekëndësh komunikimi nëpërmjet Iranit, Katarit dhe SHBA-së, për shkak se Katari është një shtet i cili ka marrëdhënie shumë të mira me SHBA-në dhe Iranin.

Në këtë mëryrë Irani, i goditur prej 11 ditësh nga Izraeli dhe i goditur me një sulm shumë të rëndë dhe nga SHBA-ja, duket se iu la mundësia për të bërë një 'hakmarrje' të pavlerë, pa asnjë dëm, por thjesht një goditje simbolike.

Menjëherë pas kësaj, Trump shpalli publikisht se tashmë ishte koha për paqe", u shpreh Metaj.

 

EMISIONET